E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: 2 korriku, rënia e Murit të Berlinit në Tiranë

2 korriku i vitit 1990 shënon rënien e Murit të Berlinit në Tiranë. Kështu është shprehur kryeministri Berisha në tubimin festiv me rastin e 2 korrikut 1990 që po zhvillohet në Qytetin Studenti.

"Më 2 korrik të rinjtë shqiptarë u vërsulën si luan dhe shembën Murin e Berlinit në Tiranë duke u shndërruar në marshin e lirisë së shqiptarëve" theksoi Berisha.

Berisha duke përgëzuar kurajon e të rinjve për tu futur në ambasada theksoi se ata i dhanë zemër dhe trimëri njerëzve të cilëve terrori u kishte kallur datën dhe i çuan atyre kushtrimin për t'u çliruar nga tirania komuniste.

"Ju burrat dhe gratë,djemtë dhe vajzat që me 2 korrik u vërsulët drejt ambasadave nuk e dinit dhe nuk kishit siguri që do të arrinit botën e lirë siç shpresoi edhe i pavdekshmi Artin Basha i cili dha jetën në tentativën për të qënë i lirë" theksoi më tej Berisha.

Më tej Berisha theksoi se të rinjtë e "ambasadave" sollën uraganin e lirisë që nën udhëheqjen e Azem Hajdarit do të pëuronte pluralizmin politik dhe Partinë Demokratike të Shqipërisë dhe do vërshonte në mendjen dhe në zemrat e mbarë shqiptarëve flladin e lirisë.

"Sonte përulemi me nderim të madh përprara heronjve të 2 korrikut që shkallmuan dyert për lirinë e shqiptarëve. Sot pas 20 vitesh është jo dekada por shekuj larg Shqipërisë së 20 viteve më parë" shtoi kryeministri Berisha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›