Berisha: 2010-a, viti i investimeve të mëdha
Kryeministri Sali Berisha ftoi dje investitorët e huaj të vazhdojnë të bashkëpunojnë me qeverinë shqiptare për reforma të mëtejshme. Ai garantoi investitorët e huaj dhe vendas për një klimë biznesi të favorshme. Z. Berisha në një takim me investitorë të huaj në Shqipëri, të FIAA-s, vlerësoi punën e këtyre të fundit në përmirësimin e klimës së biznesit në Shqipëri dhe për rezultatet pozitive të ekonomisë shqiptare për vitin 2009. Sipas Berishës, janë reformat kryesore që po aplikohen tani nga qeveria shqiptare. Ai bëri të qartë se viti 2010 është një erë e re në fushën e investimeve. “Njëra ka të bëjë me investimet e huaja. Po punojmë për rikonstruktimin e Albinvestit, po përpiqemi ta kthejmë atë në një pikë One Stop Shop. Reforma tjetër ka të bëjë me rikonstruktimin e inspektoratit, proces për të cilin kemi angazhuar ekspertë nga më të mirët në rang evropian dhe botëror dhe në muajt në vazhdim do të implementojmë një sistem inspektorati të suksesshëm”, - tha z. Berisha. Kreu i qeverisë i ftoi ata: “Të vini me projekte dhe ide të reja për të ndihmuar dixhitalizimin e Shqipërisë. Qeveria shqiptare do të bëjë gjithçka për të sintonizuar projektet tuaja me prioritetet e kësaj qeverie. Ne po bëjmë reforma, jemi të gatshëm t'ju mundësojmë çfarëdo lehtësire të jetë, e nevojshme për ta bërë më të lehtë dhe më tërheqëse për ju, mundësinë e investimit në vendin tonë”. Mësimi më i madh i krizës globale, u shpreh në mbyllje të fjalës së tij Kryeministri, ishte kapërcimi i saj përmes reformave. “Kështu bëmë edhe ne, prandaj të shkojmë përpara e ta bëjmë 2010-n, vitin më të mirë që ka pasur ndonjëherë Shqipëria”.