Berisha: 2011-a, vit i shkëlqyer për Shqipërinë – statusin e kandidatit e bllokoi opozita. Protestat testuan funksionimin e shtetit ligjor

“Shqipëria s’do preket nga recensioni ekonomik. Reformat që u kërkohen vendeve në krizë, Shqipëria i ka kompletuar vite më parë
Objektivat e dy viteve të ardhshme – kompletimi i projektit “Shqipëria në asfalt”
UPDATE- Kryeministri Sali Berisha po zhvillon në këto momente, takimin përmbyllës me mediat, në prag të ndërrimit të viteve, për të analizuar zhvillimet kryesore të vendit, për vitin 2011. Shefi i ekzekutivit, vlerësoi 2011-ën si vitin e shkëlqyer për Shqipërinë dhe kjo sipas tij, bazohet në tregues konkret dhe realistë që vijnë nga kursi reformator i qeverisë. “Them se ishte një vit pa mëdyshje i shkëlqyer, për të cilin çdo shqiptar duhet të falenderojë veten e tij, Zotin dhe funksionimin e reformave të ndërmarra që e bëjnë vitin 2011 të regjistrohet në muret e kohës i një nga vitet e suksesit të sistemit, si një nga vitet e suksesit të madh në të gjitha fushat. Mund t’u them se viti 2011-të ishte një vit i denjë për prag 100 vjetorin e Shqipërisë. Ishte një vit me kontribute thelbësore me projektin madhor të këtij vendi, Shqipëria vend i zhvilluar. Ishte një vit nga i cili shqiptarët shohin më lart, më qartë se kurrë, horizontin që do të arrijë në vitin 2012, 100 vjet shtet i Pavarur”- u shpreh Berisha. Kryeministri theksoi se 2011-a u shoqërua dhe me disa ngjarje negative, si protesta e dhunshme e opozitës më 21 janar, po kurrsesi nuk ia zbehin shkëlqimin këtij viti progresiv. “Viti filloi me disa probleme të caktuara, krejtësisht të pamotivuara pa asnjë arsye ligjore, ngjarje që provuan, testuan, funksionimin e kushtetueshmërisë së vendit. Ngjarje të cilat morën përgjigjen më kushtetuese dhe më ligjore. Shqipëria u faktua si një shtet ligjor, askush nuk mundet që një qeveri të zgjedhur me votë të lirë, të rrezohet nga pushteti apo të marrë pushtet me dhunë”- tha kryeministri. Berisha u ndal dhe te mos – marrja e statusit të vendit kandidat në BE. Sipas tij, ishte vota bllokuese e opozitës ajo që la Shqipërinë pa statusin e kandidatit në BE, në 2011-ën. “Shqipëria nuk mori statusin e kandidatit sepse opozita, si asnjë opozitë tjetër në evropë, zgjodhi të bllokojë me votë integrimin e BE. Bllokoi ligjet në Kuvend. Shqiptarët, me votën e tyre më 8 maj të këtij viti i dhanë mësimin më të penduar, atyre që përdorën votën për të penguar integrimin. Sot, opozita po punon në parlament, ka pranuar një marrëveshje të ofruar 2 vjet më parë. Votuam Avokatin e Popullit dhe jam i vendosur si qeveri të bëjmë gjithçka për këtë funksion jashtëzakonisht të rëndësishëm, për përmbushjen e standardeve më të mira”- theksoi Berisha, duke u shprehur optimist për realizimin e reformave të integrimit në të ardhmen. Kryeministri vlerësoi se arritje të mëdha gjatë këtij viti pati në të gjitha fushat, ndërsa një rëndësi të veçantë i kushtoi zgjedhjeve lokale si dhe procesit të regjistrimit të popullsisë, Censusi 2011. Për kryeministrin, zgjedhjet për pushtetin vendor kaluan një nga testet më serioze të demokracisë, atë të ngushtësisë në garë. “Viti pati 2 ngjarje të tjera të mëdha, në të cilat u testua, funksionimi i ligjit dhe shtetit në këtë vend. Këto ishin zgjedhjet e 8 Majit. Në këto zgjedhje institucionet kushtetuese kaluan një nga testet më serioze, për shkak të ngushtësisë së garës. Zgjedhjet e para në historinë e këtij vendi që vlerësohen si kompetitive dhe transparente dhe plotësisht të adresueshme. Në këtë proces mazhoranca me përpjekjet e saj, reformat e saj, morën vlerësimin më maksimal në historinë e zgjedhjeve të këtij vendi, 12% më shumë vota”. Sa i takon regjistrimit të popullsisë dhe banesave, kryeministri tha se rezultatet e publikuara deri më tani, janë historike për vendin. “Shqipëria pas 99 vitesh zhvilloi censusin e plotë në liri të plotë, ka foton më të bukur kombëtare dhe materiale. Qytetarët u regjistruan me teknologjinë më të avancuar të kohës dhe rezultatet e para janë historike. Ato rezultate faktuan se ky vend po ecën me shpejtësi drejt horizontit të vendit të zhvilluar. Ato faktuan se shqiptarët në këto 10 vite ia kanë dalë të ndërtojnë shtëpitë për veten e tyre, më shumë se të gjitha kombet e tjera në 20 vitet e marra së bashku”- tha Berisha. Kryeministri i kushtoi një hapësirë të veçantë situatës ekonomike dhe raporteve të agjencive ndërkombëtare të vlerësimit, lidhur me stabilitetin financiar. Berisha garantoi se ekonomia shqiptare nuk do bjerë në recension, sepse ka integruar modelin ekonomik ndër më të suksesshmit, falë reformave eficente. “Ky ishte një vit i madh sepse ky është viti që ekonomia shqiptare i bëri ballë krizës më të madhe ekonomike në Evropë dhe botë. Viti mbyllet me një deficit buxhetor 3.5%, ndër më të ulëtit në Evropë, mbyllet me një borxh 59%. Stabiliteti i ekonomisë shqiptare u konfirmua nga agjencia e vlerësimit Moody’s dhe Standard & Poor’s si dhe mjaft agjenci të tjera ndërkombëtare. Studimi i OECD-së thotë se të investosh në Shqipëri, është 5% më e lehtë se të investosh në vendet e OECD-së. Reformat, konsolidimi i tyre, zbatimi i tyre bën që Shqipëria të kapë pozicione të frytshme në rrugën e saj të zhvillimit”- theksoi kryeministri. Në rezymenë e fund vitit, Berisha tha se suksese janë shënuar sa i takon reformave në arsim, ndërsa vlerësoi rritjen e numrit të studentëve në universitetet e vendit. “Shqipëria tejkalon numrin mbi 140 mijë studentë dhe ecën e sigurt drejt objektivit maksimal, me 150 mijë studentë”. Në fushën e shëndetësisë Berisha vlerësoi ligjin për sigurimet shëndetësore, si një nga arritjet kryesore të reformave në sistem. “Është bërë një punë e madhe për kostifikimin, proces ky themelor për reformat, kostifikimin e të gjitha shërbimeve. Në spitale janë instaluar aparaturat më moderne, të teknologjisë së fundit. Raportet flasin se vdekshmëria në Shqipëri është më e ulët se të gjitha vendet ish komuniste. Shumë inkurajuese janë të dhënat për shëndetin e gruas. Këto të dhëna e rendisin Shqipërinë në një nga pozicionet më lakmuese në Evropë”- tha ai. Shqipëria në moshën dixhitale, për kryeministrin Berisha ka hedhur zhvillime të jashtëzakonshme për vitin që po lëmë pas. Shumë shpejt, tha Berisha, do lëshohet licenca për 3G.
Infrastruktura
Janë asfaltuar dhe janë në ndërtim e sipër 1400 km rrugë, autostrada, superstrada, rrugë dytësore, rrugë tretësore. Kurrë ndonjëherë nuk ka patur punime më të mëdha dhe intensive në infrastrukturë sesa këtë vit. Ky vit ka qenë vendimtar në finalizimin brenda dy viteve që vjen të projektit “Shqipëria në asfalt”, i cili do t’u bëjë të mundur qytetarëve shqiptarë, nga çdo cep i vendit, 60 minuta më shpejt, koha është e çmuar për secilin, por edhe kostot më të vogla. Brenda dy viteve shqiptarëve do të udhëtojnë në vendin e tyre, si në njërin prej vendeve më të zhvilluara të Evropës. Përcaktimi ynë është t’u kursejmë shqiptarëve 60 minuta të kohës, si treguesi më përcaktues. Janë ndërtuar 104 ujësjellësa në mbarë vendin. Shqipëria ka një nga standardet më të mira me furnizimin me ujë të 98% të popullsisë. Janë 14 vepra të pastrimit të ujërave të zeza që kanë përfunduar ndërtimin apo janë në ndërtim e sipër. Në harkun kohor dy vjeçar, brigjet shqiptare do jenë brigjet më të pastra të Mesdheut. Dhe ky është një realitet i cili finalizohet brenda dy viteve.
Turizmi
Turizmi ka qenë një fushë tjetër e cila ka njohur zhvillime të mëdha. Është lajm i madh për Shqipërinë dhe shqiptarët. Në vitin e parë të lëvizjes së lirë, arritjes më të madhe të qytetarëve, 450 mijë shqiptarë vizituan zonën “Schengen” të pajisur me dokumentet më të sigurta. 4 milionë e 1 mijë vizitorë erdhën në Shqipëri gjatë këtij viti. Një vit historik. Ata që u vunë kurorën Shqipërisë si “Miss Bota” për vitin 2011, ata ishin profetët e vërtetë. “Lonely Planet” u faktua se, Shqipëria ishte destinacioni i vitit 2011. Bjeshkët e Namuna janë shpallur destinacioni turistik në Britaninë e Madhe, po shpallen Himalajet e Evropës, destinacioni magjepsës. Bota po njihet jo vetëm me magjinë e pritjes së këtij vendi, por edhe me bukuritë natyrore nga alpet deri te vargmalet e panumërta. Hapet në këtë mënyrë një kapitull i ri turizmi, ai malor. Qeveria do ta ndjekë me të gjitha potencialet nga maja e Çajupit në Valbonë, infrastruktura po ecën me shpejtësi në drejtimet dhe destinacionet më të mira malore.
Mbrojtja e Mjedisit
Shqipëria renditet e 23-a në botë për pastërtinë e Mjedisit. Një paketë ligjore e plotë e standardeve më të mira Evropiane, është miratuar nga Parlamenti. Së fundmi u miratua dhe ligji për Menaxhimin e Mbetjeve Urbane. Pavarësisht zhurmës që u bë, “shumë zhurmë për asgjë”, siç u faktua, ai ligj është i standardeve më të mira dhe si qëllim të mbrojë këtë vend nga importi i mbetjeve të rrezikshme dhe unë jam shprehur se jam i gatshëm se para se të firmos ta bëj objekt debati me shoqërinë civile.
Shqipëria jeshile
I kemi të gjitha kushtet dhe fatmirësisht Shqipëria është vendi i rezervave të mëdha të burimeve energjetike, të energjisë së rinovueshme dhe do bëjmë gjithçka për shfrytëzimin racional të tyre.
Bujqësia
Janë 2-3 fishuar eksportet e frutave, perimeve, zarzavateve si asnjëherë më parë. Ka një rënie në 40% në importet e ushqimeve bazë sepse ato po zëvendësohen me prodhimet e vendit. Bli shqip është motoja më e mençur, më e shëndetshme dhe më e sigurt për qytetarët shqiptarë. Le të shohim çdo lloj forme, çdo lloj ngjyre, ushqime të shijshme si të Shqipërisë nuk kanë për të qenë. Prodhimet e vendit janë bërë preferencë absolute për tryezat e qytetarëve të këtij vendi. Dy mijë ha drurë frutorë janë subvencionuar nga qeveria, ullinj dhe arrorë. Garantoj fermerët se Ministria e Bujqësisë ka marrë udhëzime të qarta të paguajë projektet e tyre, ndërsa kemi rritur me 2 herë fondin për pyllëzimin me dru frutorë të Shqipërisë. Këto dy projekte, ulliri dhe arrorët, në 10 vite do ta bëjnë Shqipërinë një vend tjetër, do ta shndërrojnë në një vend të prodhimeve të mëdha. Natyrisht Shqipëria s’mund të bëhet një ullishte me Greqinë, Italinë, Spanjën, por Shqipëria mund të bëhet një Kaliforni e vogël në Evropë, në vendin më të rëndësishëm të eksporteve në Evropë.
Policia e Shtetit
Policia e Shtetit këtë vit ka dëshmuar shkallën më të lartë të profesionalizimit. Përballoi në kushte standarde, qindra e qindra protesta, përfshirë dhe ato të dhunshme. Policia e Shqipërisë, është shndërruar në një partner të besueshëm të partnerëve ndërkombëtare. Ka dhënë goditjet më eficente në luftën kundër krimit të organizuar. Qëndrimi i saj ligjor ndaj zgjedhjeve, fitoi admirimin e madh të të gjitha forcave politike, qytetarëve të këtij vendi dhe miqve e partnerëve ndërkombëtarë. Shkalla e zbulueshmërisë është ndër më të lartat. Lufta kundër krimit të organizuar ka një nivel të ri. 125 zyrtarë janë ndaluar për veprën e korrupsionit, meritë kjo kryesisht e Policisë Kriminale. 70 prej tyre vazhdojnë të ndiqen në gjendje të lirë, ndërsa të tjerët mbahen në arrest.
Stabiliteti ekonomik
Natyrisht kjo krizë e zgjatur dhe do jetë e tillë, nuk mund të mos ketë pasoja në çdo segment të ekonomisë globale, një prej të cilave është dhe ekonomia shqiptare. Por jam i bindur se Shqipëria nuk do bjerë në recension. Po të ndiqni ju reformat që ju kërkohen vendeve në krizë, janë reforma që ne i kemi kompletuar. FMN e thotë qartë se reformat e qeverisë e mbrojnë ekonominë nga recensioni. Ne zbatuam një model ekonomik shumë funksional. Ky model e ka vendosur Shqipërinë në një nga 10 vendet me administratën më të vogël, me qeverinë më të vogël. Sipas këtij modeli, Shqipëria arriti të arkëtojë, nga 2006-a në 2011-ën, në arkën e shtetit, më shumë se 8 miliardë dollarë. Para këtij modeli ishte Shqipëria tjetër, ku 1.4 miliardë dollarë përfundimin në xhepat e zyrtarëve dhe kontrabandistëve. Rritja ekonomike është e garantuar dhe nuk ka asnjë kërcënim.
Urimi për shqiptarët, Berisha: Nuk bëj kartolina online, dërgoj SMS
“Unë komunikoj me SMS, me mesazhe celulari sepse shkalla e penetrimit me celularë në Shqipëri është 140%, ndërsa interneti është diku tek 50%. Nuk bëj kartolina online. Unë bëj kartolina me logon e Këshillit të Ministrave, d.m.th kartolinat që dërgoj unë janë kartolina zyrtare.
...