E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha, 48 orë kohë për ta zgjidhur krizën

Milo

Presioni për hapjen e kutive po i adresohet tanimë qeverisë shqiptare edhe nga komuniteti europian. Si element formal në këtë drejtim mjafton edhe mbledhja e Komitetit të Stabilizim–Asocimit mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian, që mbahet ditën e martë dhe ku pritet të miratohet një deklaratë politike me rëndësi për rrugën e mëtejshme të vendit tonë në përfitimin e statusit të vendit kandidat. Kreu i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo, nuk ka munguar që ta nënvizojë këtë fakt edhe në fjalën e tij në tubimin e opozitës, teksa për gazetën “Shqip” ka sqaruar se komunikimi diplomatik po vijon ende në funksion të shmangies së një deklarate që do ta penalizonte Shqipërinë dhe Sali Berisha ka 48 orë kohë për ta zgjidhur krizën. “Ditën e martë pritet të miratohet një deklaratë politike që do të jetë përcaktuese për ecurinë e mëtejshme të Shqipërisë në ambicien e tij për marrjen e statusit të vendit kandidat”, ka thënë Milo. Ai ka bërë të qartë se penalizmi i mundshëm i vendit mund të vijë për shkak se stabiliteti politik është premisë themelore në vlerësimin që bëhet për vendet që aspirojnë të bëhen pjesë e familjes europiane. Në këtë situatë, opsioni i kompromisit është bërë edhe më imediat, çka verifikohet edhe në intensifikimin e përpjekjeve negociuese, të cilat gjithsesi mbeten konfidenciale. Sipas Milos, komunikimet dhe mesazhet e faktorit ndërkombëtar po shkojnë në favor të idesë së opozitës, për hapjen e kutive të votimit dhe më konkretisht “të atyre kutive për të cilat ka informacione të besueshme dhe të mjaftueshme”. Hapja e kutive mbetet sipas kreut të PDS-së i vetmi opsion kompromisi, edhe pse deri më tani ai është hedhur kategorikisht poshtë nga qeveria. Sipas tij, në këtë drejtim presioni ndërkombëtar po përpiqet që ta bindë edhe Kryeministrin, që sipas informacioneve ende jozyrtare mund të çedojë për hapjen e kutive të materialeve zgjedhore.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›