E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Zotërinj, dilni nga kafazi! Më 1 korrik, rritja më e madhe e rrogave

Deklarata Kryeministri mori pjesë në ceremoninë e përurimit të segmentit të Unazës së Paskuqanit

Shqipëria nuk ka krizë, kriza e vërtetë ndodhet në mendjen e drejtuesve të Partisë Socialiste. Kjo ishte deklarata që bëri dje Kryeministri Sali Berisha, gjatë përurimit të segmentit të Unazës së Paskuqanit dhe fazës së parë të ujësjellësit në këtë komunë. Gjatë fjalës së mbajtur përpara banorëve të kësaj komune, kreu i qeverisë u bëri thirrje gjithashtu deputetëve dhe simpatizantëve grevistë të Partisë Socialiste, që të dilnin nga çadrat në bulevard dhe qëndrimet e tyre se vendi është në krizë.

“Ndaj dhe të nderuar shokë, të nderur zotërinj, dilnin nga kafazi, dilni nga kutia dhe njihni Shqipërinë tjetër, Shqipërinë që zhvillohet, Shqipërinë që ecën çdo ditë drejt idealit të saj evropian. A e kuptoni ju se kriza zhvillohet vetëm në psikikën tuaj?”, deklaroi kreu i qeverisë, duke shtuar se investimet në të gjithë vendin po vijojnë me intensitet të plotë. Por kreu i qeverisë kërkoi që opozita të hiqte dorë nga strategjitë që po ndjek edhe për shkak se ajo nuk do ketë si t’u përgjigjet pastaj elektoratit të saj dhe qytetarëve, kur shqiptarët të lëvizin të lirë. Sipas Berishës, liberalizimi i vizave për shqiptarët do të ndodhë shumë shpejt. “çfarë do t’u thoni ju qytetarëve të Paskuqanit, qytetarëve shqiptarë, kur më 1 korrik do të njohin rritjen më të madhe të rrogave dhe pensioneve në tërë historinë e vendit?”, shtroi pyetjen Kryeministri Berisha. Në ditën kur festohet edhe festa e Europës, kreu i qeverisë deklaroi se Shqipëria e kishte të qartë tashmë rrugën e saj drejt familjes europiane. Por nga ana tjetër kjo rrugë nuk ka qenë e lehtë për shqiptarët. “Sot për mbarë Europën është dita e Bashkimit Europian, është dita e madhe kur qytetarët nderojnë vlerat e tyre, për të cilat u bashkuan njëri me tjetrin. Rruga jonë drejt Europës nuk ka qenë e lehtë, por me shumë mund dhe shqiptarët kanë derdhur djersë, pasi kjo rrugë është rrugë nderi, dinjiteti dhe suksesi”, deklaroi Berisha në fjalën e tij përpara banorëve të kësaj zone. Kreu i qeverisë ka theksuar më herët se ai ndjen dhembshuri njerëzore për grevistët socialistë të cilët prej më shumë se një jave qëndrojnë përpara zyrës së tij. Por sipas Berishës, ai nuk pajtohet me kauzën e tij dhe e cilëson këtë grevë si një nismë që është marrë për interesin personal të kryetarit të PS-së, njëkohësisht kryebashkiakut Edi Rama. Sipas Berishës, mazhoranca ka qenë gjithnjë e hapur për të bërë transparencën e plotë të zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit, por ai ka theksuar në mënyrë të prerë se shumica nuk ka ndërmend të shkelë Kushtetutën dhe ligjet e vendit. Kryeministri ka theksuar se opozita është e lirë t’i drejtohet për kërkesat e saj Gjykatës Kushtetuese dhe Komisionit të Venecias, por nuk mund t’i kërkonte Parlamentit të vendit të shkelte dhe të shqyrtonte vendimet e gjykatave zgjedhore. Nga ana tjetër, në krah të situatës së acaruar politike, kreu i qeverisë ka vijuar fundjavën e shkuar i qetë turin e tij të përurimeve të veprave infrastrukturore në vend.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›