Berisha: 5 Maji, ditë nderimi për Azem Hajdarin
Kryeministri Berisha ka vlerësuar lart figurën dhe kontributin që Azem Hajdari ka dhënë për lirinë dhe dinjitetin e shqiptarëve, gjatë vizitës në shtëpinë e të ndjerit. 5 Majin, kreu i qeverisë e cilësoi si ditë nderimi shumë të madhe për Azem Hajdarin dhe veprën e tij, duke e vlerësuar atë si tribun të lirisë së këtij kombi, i cili ka bërë më shumë se kushdo tjetër si individ, për liritë dhe dinjitetin e shqiptarëve.
Erdha për të nderuar një tribun të lirisë së këtij kombi, Azem Hajdarin, i cili ka bërë më shumë se kushdo tjetër si individ për liritë dhe dinjitetin e shqiptarëve. Vitet në liri shtohen dhe kjo është një gjë mjaft pozitive, por 19 vjet më parë Azem Hajdari u shndërrua në tribunin e lirisë së shqiptarëve, ka theksuar kryeministri Berisha. Duke vlerësuar lart shembullin e Azem Hajdarit, kryeministri Berisha ka theksuar se me shembullin e tij personal, ai i nxori shqiptarët nga kompleksi i tmerrshëm i frikës duke denoncuar atë që ishte për tu denoncuar. Duke i ftuar dhe duke i thirrur ata që të ndjeheshin të lirë, duke i ftuar që të bashkoheshin në vullnetin për të përmbysur diktaturën që aq shumë i kishte shtypur, varfëruar dhe depersonalizuar. Vitet në liri shtohen dhe kjo është një gjë mjaft pozitive. 19 vjet më parë Azem Hajdari u shndërrua në tribunin e lirisë së shqiptarëve, nënvizoi kryeministri. Gjatë ditës së djeshme, edhe presidenti Topi ka zhvilluar një vizitë në shtëpinë e martirit të demokracisë, Azem Hajdarit, ku vlerësoi figurën dhe kontributin e ish deputetit të PD-së të vrarë në 12 shtator 1998. Azem Hajdari është Qytetar Nderi i pothuajse të gjitha bashkive e komunave të Shqipërisë, si në Tiranë, Vlorë etj. Në vitin 2002 ai u nderua me Urdhrin Nderi i Kombit, ndërsa në vitin 2003 me Medaljen e Artë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.