Novoselë, Rama: Do të heq akcizën e naftës
Kryetari i PS Edi Rama zhvilloi dje një takim në Novoselë të Vlorës, ku ka folur për programin për bujqësinë. Rama dhe drejtuesit e lartë të PS që e shoqëronin në Novoselë, janë shprehur se me programin e ri të socialistëve do të ketë ritme të reja të rritjes në fshat. Zhvillimi nuk do të jetë më i pa balancuar, por përkundrazi, do të synohet një zhvillim harmonik, në mënyrë që të mos thellohet më tej pabarazia sociale, u shpreh Rama. Kreu i PS ka treguar disa pika të dokumentit të ri qeverisës të socialistëve lidhur me uljen e kostove të prodhimit, si dhe përmirësimin e teknologjive të prodhimit përmes politikave të reja në sektorin e bujqësisë.
Do të ulim edhe koston tërësore të prodhimit, duke nxitur përmes mbështetjes financiare rritjen e njësive të prodhimit dhe njëkohësisht, duke nxitur me politika të reja, edhe përmirësimin e teknologjive të prodhimit, u shpreh më tej Edi Rama. Sali Berisha në vitin 2005, mori shumë vota në fshat, duke ngritur zërin në kupë të qiellit për çmimin e naftës, që atëherë ishte 600 lekë dhe për Sali Berishën ishte shumë i lartë. Ai premtoi, se me të marrë votën tuaj, do ta bënte 400 lekë çmimin e naftës. Dhe ajo që ndodhi, siç ndodhë me të gjitha premtimet e Sali Berishës, ishte që jo vetëm nafta nuk zbriti, por përkundrazi çmimi i saj u dyfishua e u trefishua, dhe ju mbetët në mes të katër rrugëve. Unë e ndiej pamundësinë tuaj dhe për këtë arsye, do ta ulim çmimin e naftës për fshatin, duke hequr akcizën, deklaroi Rama.