E Diel, 1 Nëntor 2026

Lideri dhe drejtues të LSI, homazhe në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit

Lideri i Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta i shoqëruar edhe nga drejtues të tjerë të LSI, zhvilluan dje paradite homazhe në varrezat e Dëshmorëve të Kombit, në nderim dhe respekt të 5 Majit, Ditës së Dëshmorëve. Gjatë ceremonisë përkujtimore, Kreu i LSI, në shenjë të kujtimit dhe nderimit të veprës së tyre heroike, vendosi një kurorë me lule pranë monumentit Nënë Shqipëri. Pas homazheve pranë monumentit Nënë Shqipëri, Meta së bashku me drejtues të LSI dhe kandidatë të saj për deputetë, zhvilluan vizita në disa familje të dëshmorëve, në mes të të cilave edhe në familjen e dëshmorit Mustafa Kaçaçi. 
Idealet e dëshmorëve për një Shqipëri të lirë, për një Shqipëri demokratike, për një Shqipëri të begatë, janë ato që na frymëzojnë çdo ditë në projektin tonë për një Shqipëri Evropiane, ku të gjithë shqiptarët të jetojnë në liri, të jetojnë në paqe dhe në begati, u shpreh Meta me këtë rast. Kreu i LSI shtoi ndër të tjera se 5 Maji është një ditë e shenjtë për të gjithë shqiptarët, sepse është dita e mirënjohjes për gjakun e derdhur nga martirët e kombit tonë në luftën më të lavdishme të zhvilluar nga kombi ynë, atë Antifashiste Nacional- Çlirimtare. Kjo luftë jo vetëm që garantoi pavarësinë dhe sovranitetin e Shqipërisë, por në themel të kësaj Shqipërie evropiane që ne synojmë sot, qëndron pikërisht sakrifica e këtyre martirëve., vijoi më tej Meta duke shtuar se respekti dhe mirënjohja e tij për Luftën Antifashiste Nacional- Çlirimtare dhe për dëshmorët e Atdheut, nuk ka ndryshuar asnjëherë, duke bërë të ditur se ai vetë vjen nga një familje partizanësh.
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›