E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi dhe Berisha nderojnë dëshmorët

Kreu i shtetit dhe ai i qeverisë kanë zhvilluar homazhe në varrezat e Dëshmorët e Kombit, ku vendosën kurora me lule pranë monumentit Nënë Shqipëri, në nderim të 5 majit, Ditës së Dëshmorëve. Në këtë ceremoni përkujtimore presidenti, Bamir Topi dhe kryeministri, Sali Berisha shoqëroheshin edhe nga deputetët të Kuvendit të Shqipërisë. Presidenti Topi vlerësoi se gjithçka që Shqipëria po arrin, ka në themel veprën dhe gjakun e dëshmorëve të atdheut. Kjo ditë e shënuar vjen si çdo vit tjetër me një simbolikë të veçantë. Është dita kur ne rifreskojmë kujtimin e të rënëve për kombin, dhe natyrisht që vepra e tyre është e paharrueshme. Ne kujtojmë patriotët, të cilët dhanë jetën e tyre për pavarësinë e Shqipërisë, u shpreh presidenti Topi. Sipas tij ditën e 5 majit, përkujtohen me përulje të thellë të gjithë dëshmorët e atdheut që luftuan dhe derdhën gjak për çlirimin e Shqipërisë, që kontribuuan dhe sakrifikuan jetën e tyre për forcimin e shtetit ligjor. Ndërsa kryeministri Berisha e cilësoi 5 Majin, një ditë që çdo shqiptar përulet me nderimin më të madh dhe mirënjohjen më të thellë ndaj të gjithë atyre që flijuan jetën, rininë dhe çdo gjë të shtrenjtë, për lirinë e kombit dhe vendit. Ai u shpreh se shqiptarët e nderojnë këtë ditë më të lehtësuar se kurrë ndaj të rënëve të tyre, pasi Shqipëria, si vend anëtar i NATO-s, ëndrrën dhe idealin e tyre e ka të sigurt një herë e përgjithmonë. Më shumë se kurrë shpirti i tyre shkëlqen dhe rrezaton në zemrën e çdo shqiptari dhe ndriçon rrugën tonë drejt të ardhmes. Ëndrra dhe ideali i dëshmorëve të kombit, për të cilin ata ranë për t'u bërë të pavdekshëm është tani e sigurt njëherë e përgjithmonë. Nderimin më të thellë atyre që ranë për të qenë ne të lirë, atyre që u flijuan për të pasur në dinjitetin kombëtar dhe sot shkëlqejnë me shpirtin e tyre duke ndriçuar rrugën e kombit, theksoi kryeministri Berisha. Më pas kreu i qeverisë zhvilloi vizita në familjen e zonjës Luftare Ngjela, motra e dëshmorit Shyqyri Buzi dhe heroit të popullit Hiqmet Buzi. Ndërsa presidenti vizitoi gjithashtu familjet e dëshmorëve Xhavit Dishnica dhe Abdulla Keta. Dita e 5 Majit, dita e Dëshmoreve të Luftës Nacional Çlirimtare, nderon 28 mijë dëshmorët e luftës 1939-1945. Pas viteve 90, ka kontestime të vazhdueshme mbi luftën e zhvilluar, duke ngjallur polemika deri dhe për datën e Çlirimit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›