PSV 91 respekton martirët dhe kontribuesit e Luftës Antifashiste
Kreu i Partisë Socialiste të Vërtetë 91, Petro Koçi, i shoqëruar nga sekretarët e Kryesisë së PSV 91 Çeço dhe Podgorica, nga drejtuesit e PSV 91, të qarkut të Tiranës, Sara e Tahiri e konceptuan 5 Majin si një ditë takimesh e vlerësimesh në emër të partisë por dhe në mbështetje të koalicionit PSV 91- LSI. Dita e djeshme filloi në homazhet e koalicionit pranë Varrezave të Dëshmorëve të Kombit për të vazhduar më pas në vizitat e takimet në disa njësi bashkiake të kryeqytetit.
Vizita në shtëpinë e Heroit të Popullit Myslym Keta hapi turin e respektit për martirët e lirisë dhe demokracisë shqiptare. Në takimin me veteranë të tjerë të qarkut Tiranë apo miq të familjes, jashtë Tiranës, z. Koçi shprehu mirënjohjen për veprën dhe figurën e Heroit dhe pasardhësve të tij. Ai deklaroi dhe një herë koherencën që kjo parti ka në vlerësimin e këtyre figurave të kombit dhe njëkohësisht shprehu se ideali i tyre përmes përkushtimit ndaj atdheut, çështjes së lirisë dhe demokracisë në vend, është detyrim dhe përgjegjësi për tu mbajtur nga të gjithë anëtarët e PSV 91. Kjo është shtylla jonë kurrizore e progresit e zhvillimit europian. Zonja Çeço kujtoi plejadën e figurave të luftës, miq të Heroit, e që më pas patën fate të ndryshme të jetës. Përmes vlerësimit të të gjithëve ajo nënvizoi faktin se mbështetës e anëtarë aktivë të PSV 91 janë edhe pasardhësit e tyre. Kjo është PS-ja e vërtetë, ku martirët dhe pasardhësit mbajnë idealet e atdheut, - theksoi Çeço. Më pas, takimet me veteranë të Minibashkisë nr 10 u bënë në shtëpinë e vëllait të Heroit të Popullit Vasil Shanto për tu bashkuar me Kryetarin e LSI-së, z. Ilir Meta tek shtëpia e familjes së Gjergj Frashërit, njërit prej 4 dëshmorëve. Në emër të koalicionit ato shprehën devotshmërinë e tyre politike ndaj kontributorëve dhe heronjve të idealit antifashist gjatë Luftës së Dytë Botërore. Të gjitha këto takime, pjesëmarrës e organizatorë qenë edhe anëtarët e LRI dhe forumit të të rinjve pranë PSV 91.