E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: 8 maji, proces demokratik dhe transparent

12-05-2011 / Gazeta 55

Kryeministri Berisha pret në takim Drejtoreshën e Drejtorisë së Këshillimit Politik dhe Bashkëpunimit, Claudia Luciani

Luciani: Votuesit shqiptarë treguan vlera të vërteta europiane

Kryeministri Berisha  priti dje  në një takim, Drejtoreshën e Drejtorisë së Këshillimit politik dhe Bashkëpunimit, Claudia Luciani, e cila shoqërohej nga Shefi i Zyrës së KE në Tiranë,  Marco Leidekker. Gjatë këtij takimi Kryeministri Berisha vlerësoi  bashkëpunimin shumë të mirë me institucionet e KE-së, dhe suksesin e një sërë projekteve të përbashkëta të bashkëpunimit, në fusha të ndryshme, si në luftën kundër korrupsionit me GRECO-n, në fushën e forcimit të mëtejshëm të drejtave të njeriut, në mbrojtjen e të dhënave, etj.
Drejtoresha e Drejtorisë së Këshillimit Politik dhe Bashkëpunimit, Luciani e falënderoi Kryeministrin Berisha për pritjen e ngrohtë dhe miqësore dhe i shprehu kryeministrit vlerësimin për zhvillimin e jashtëzakonshëm dhe transformimin mbresëlënës që Shqipëria ka përjetuar gjatë këtyre viteve të fundit. Duke u ndalur në zgjedhjet vendore të 8 majit, në takim u vlerësua procesi i qetë, demokratik e transparent, si dhe sistemi zgjedhor i konsoliduar tashmë në Shqipëri, procedurat e të cilit garantojnë që vota e çdo qytetari vlerësohet dhe numërohet me rigorozitet, përmes një procesi të saktë dhe transparent të numërimit të saj, çka e rendit sistemin shqiptar të numërimit në një ndër sistemet me garancinë më të lartë, falë edhe infrastrukturave moderne e dixhitale.
Në këtë takim u vu theksi në angazhimin dhe dëshirën e Shqipërisë dhe KE-së për të vijuar bashkëpunimin e suksesshëm në shumë fusha si: në luftës kundër korrupsionit, pastrimit të parave, sistemit të vuajtjes së dënimit, në fushën e arsimit apo në fushën e barazisë dhe luftës kundër çdo lloj diskriminimi etj. Në këtë takim Kryeministri Berisha i uroi Shefit të Zyrës së KE-së, në Tiranë, Marco Leidekker, suksese ne detyrën e re, i cili nga ana e tij i ri-konfirmoi Kryeministrit Berisha angazhimin e tij te plotë për të bashkëpunuar me qeverinë shqiptare në të gjitha fushat me interes të përbashkët.

Luciani: Votuesit shqiptarë treguan vlera të vërteta europiane

Drejtoresha e Drejtorisë Politike të Këshillit të Europës, Claudia Luciani, duke u ndalur në zgjedhjet vendore të 8 majit ka vlerësuar maturinë e treguar nga votuesit shqiptarë, të cilët, sipas saj, ditën e votimit treguan vlera të vërteta europiane. Zyrtarja e lartë Luciani, e cila shoqërohej edhe nga Shefi i ri i Zyrës së KE-së në Tiranë, Marco Leidekker është takuar dje edhe me zëvendësministren e Jashtme, Edith Harxhi. Zëvendësministrja Harxhi vlerësoi marrёdhёniet mjaft tё mira ndёrmjet Shqipёrisё dhe Këshillit të Evropës, si një organizatё, e cila ka qenё dhe vazhdon tё jetё njё aktore e rëndësishme në thellimin e proceseve reformuese demokratike të vendit. Drejtoresha e Drejtorisë Politike të Këshillit të Europës, Luciani siguroi se ky bashkëpunim i frytshëm do të vijojë përmes Shefit të ri të Zyrës së KE-së në Tiranë, zotit Leidekker. Gjithashtu, në takim u bisedua për asistencën që KE ka dhënë dhe vijon të japë në kuadër të reformës zgjedhore në Shqipëri.

Topalli: Të angazhuar për një proces transparent dhe sipas standardeve

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, priti dje në një takim Drejtoreshën e Drejtorisë Politike të Këshillit të Europës, Claudia Luciani, e cila prezantoi shefin e ri të zyrës së Këshillit të Europës, Marco Leidekker. Biseda mes kryeparlamentares Topalli dhe zyrtares së lartë Luciani  u fokusua veçanërisht në bashkëpunimin në çështje të të drejtave të njeriut, mbrojtjen e fëmijëve dhe gruas, çështje që janë në themel të veprimtarisë së Këshillit të Europës, ashtu sikurse edhe të Parlamentit të Shqipërisë.
Kryetarja e kuvendit, Topalli e njohu Drejtoreshën e Drejtorisë Politike të Këshillit të Europës, Lucianin me përmirësimet e dukshme të legjislacionit shqiptar lidhur me të drejtat e njeriut, duke veçuar krijimin e Komisionierit për mbrojtjen nga diskriminimi. Duke u ndalur tek ecuria e procesit zgjedhor, kryeparlamentarja tha se në këto zgjedhje shqiptarët votuan të lirë e me qytetari. “Sikurse me pjesëmarrjen e lartë në zgjedhje edhe në vijim, shqiptarët po japin sinjale shumë pozitive në këto zgjedhje dhe angazhimi ynë është maksimal që gjithçka të përmbyllet me sukses për një proces transparent e të ndershëm në tërësinë e standardeve të tij”, theksoi kryeparlamentarja Topalli.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›