Manjani: KQZ ka zbatuar me korrektësi ligjin për zhbllokimin e procesit të numërimit të votave

Përfaqësuesi ligjor i LSI-së në KQZ, Ylli Manjani, deklaroi dje se “nuk ka asnjë arsye që të bllokohet procesi i numërimit të votave”. Gjatë një interviste televizive, Manjani tha se “KQZ, në zbatim të kodit zgjedhor, bërë me korrektësinë maksimale detyrën e tij në funksion të nxitjes dhe përshpejtimit të procesit të numërimit të votave”. Sipas tij, KQZ ka bërë ndërhyrje energjike në rastet e shfaqjes së fenomenit të bllokimit të procesit të numërimit të votave. Ylli Manjani komentoi edhe raportin paraprak të publikuar një ditë më parë nga OSBE-ODIHR-i për zgjedhjet vendore, duke e cilësuar tepër të saktë dhe realist. “Kushdo nga ne, i ka menduar ato gjetje pasi është një proces teknikisht korrekt, i ndërtuar mirë, por me një politizim të tejskajshëm”, nënvizoi ai. Përfaqësuesi ligjor i LSI-së në KQZ, përfundoi duke shtuar se “në raportin paraprak të ODIHR-it, është një situatë realiste, por edhe një gjetje për të orientuar siç duhet reformën zgjedhore në të ardhmen”.