Berisha: “Të gjitha forcat politike kërkojnë largimin e Sollakut”
Autori i Lajmit: Red.Kryeministri Sali Berisha shpreh besimin se forcat kryesore politike në Shqipëri dëshirojnë largimin e kryeprokurorit Theodhori Sollaku, por nuk janë në një mendje për mënyrat. Berisha, në një intervistë për BBC-në gjatë një vizite në Londër, tha se kryeprokurori duhet të largohet, duke e akuzuar se ai vepron me motive politike. “Ai kryeprokuror ka qenë këshilltari im. Unë dua një prokurori të paanshme, një prokurori të lirë, të pakapur nga krimi”, - u shpreh Berisha. Ai pohoi më tej se zgjidhja e çështjes “Sollaku” është një kusht i domosdoshëm që Shqipëria të konsolidojë në mënyrë përfundimtare luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe kjo është një çështje tashmë shumë evidente. Për sa u përket polemikave mes forcave politike, Berisha tha se janë diçka normale, por historia ka faktuar se forcat politike në Shqipëri kanë arritur të gjejnë gjuhën e përbashkët në të gjitha rastet kur ka pasur probleme madhore për vendin. “Unë jam dëshmitar i kësaj. Tjetër problem janë media dhe interpretimet mediatike të forcave politike dhe është normale që të shprehin rezervat e tyre ndaj forcave politike. Por tjetër problem është pastaj që forcat politike kanë arritur të zgjidhin problemet e mëdha të vendit”, - tha ai.
Ky lajm është publikuar: 19/10/2007