Ngjela: “Largimet, simbol i politikës shqiptare”
Autori i Lajmit: Red.Protokolli i zyrtarëve
Zëvendëskryeministri Gazmend Oketa, për më shumë se 24 orë do të jetë zyrtari më i lartë i shtetit që ndodhet brenda kufijve zyrtarë shqiptarë. Të gjithë drejtuesit e tjerë të lartë të shtetit duke nisur tek Presidenti i Republikës, Bamir Topi, e duke përfunduar tek dy nënkryetarët e Parlamentit, Fatos Beja dhe Ylli Bufi, ndodhen jashtë vendit. Presidenti Topi ka udhëtuar drejt Belgjikës, i shoqëruar nga dy nënkryetarët e Parlamentit, Fatos Beja dhe Ylli Bufi, ku do të kenë një takim me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jap de Hop Shefer dhe me Këshillin e Ambasadorëve. Kryeministri Sali Berisha, pas takimeve në Britaninë e Madhe, do të marrë pjesë në samitin e Partive Popullore Evropiane në Lisbonë të Portugalisë. Ndërkohë Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ndodhet për një vizitë zyrtare në Kanada. Mungesat kanë qenë arsyeja për të cilën edhe seanca e radhës në Kuvend nuk është zhvilluar. Por ndërkohë një nga personat e interesuar për punimet e Kuvendit, prokurori i Përgjithshëm, edhe ai vetë ndodhet jashtë shtetit. Theodhori Sollaku, për momentin, po shijon takime zyrtare në Holandë dhe, me siguri, që në rrugën e kthimit, do të ndeshet në zonat e transitit nëpër aeroporte, me ndonjë prej krerëve të shtetit në udhëtim. Avokat Spartak Ngjela, formalisht deputet i shumicës, e komenton me doza të forta ironie mungesën e 5 krerëve të shtetit. "Nuk ndodh asgjë. Janë apo nuk janë krerët e vendit, nuk ndodh asgjë", - u shpreh Ngjela. Sipas Ngjelës, ky largim i të gjithëve është simboli më i qartë i politikës shqiptare që punon vetëm për interesat e saj. "Eshtë e rëndë ikja e Kryetares së Parlamentit me dy kaçatorrat e saj, ndërkohë që në Parlament nuk dihet se ku është shkresa e shumëpërfolur e Prokurorisë", - u shpreh Ngjela. Me rastin e kritikës ndaj mungesës së krerëve të shtetit, avokati ka dhënë një gjykim të ashpër edhe për nivelin e parlamentarizmit, të cilin e cilëson në nivele shumë të ulëta.
Ky lajm është publikuar: 19/10/2007