E Diel, 1 Nëntor 2026

Topalli: “Shqipëria, përpjekje maksimale për t u anëtarësuar”

Autori i Lajmit: Red.NATO dhe BE

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, pohon se integrimi i Shqipërisë në strukturat euroatlantike mbetet një prioritet kombëtar prandaj vendi ynë shpreson të marrë ftesën për antarësim në NATO në Samitin e ardhshëm dhe, gjithashtu, që rruga për anëtarësim në BE të jetë sa më e shkurtër. ““Unë vij nga Shqipëria, një vend me tre milionë banorë, një vend i vogël, por trim, i cili në 17 vitet e demokracisë, që pasuan 50 vitet e diktaturës, po bën përpjekje të jashtëzakonshme për t u anëtarësuar në NATO dhe në Bashkimin Evropian”, - tha Kryetarja e Kuvendit, gjatë një fjalimi të mbajtur në Universitetin Carleton në Otava të Kanadasë, ku ishte e ftuar nderi. Topalli mbajti në këtë universitet një fjalim lidhur me reformat dhe sfidat e Shqipërisë, rolin e saj në rajon e çështjen e statusit të Kosovës etj. Duke informuar dhe njohur të pranishmit me disa nga aspektet më të veçanta të historisë së Shqipërisë, Topalli tha se Shqipëria është atdheu i Nënë Terezës, vendi i shqipeve, perla e harruar e njerëzimit, vendi i maleve madhështorë, liqeneve të kristaltë, deteve të kaltër dhe plazheve të mrekullueshme! Lidhur me çështjen e Kosovës ajo konfirmoi se Shqipëria do të vazhdojë politikën e saj të fqinjësisë së mirë dhe do të ruajë rolin e saj konstruktiv dhe moderues në rajon. “Në këtë kontekst, ne mbështesim plotësisht propozimin e Presidentit Ahtisari si zgjidhjen më të mirë për paqen dhe stabilitetin në Kosovë”, - u shpreh kryeparlamentarja. Në përgjigje të pyetjes së ambasadorit të Serbisë në Kanada, se pse Shqipëria mbështet pavarësinë e Kosovës dhe Paketën Ahtisari, kur kjo paketë, sipas tij, nuk ka gjetur mbështetje, Topalli tha se “nuk dua të ndalem në masakrat e bëra në Kosovë, pasi tani Kosova është e lirë dhe së shpejti do të ketë edhe pavarësinë e saj”.
Ky lajm është publikuar: 19/10/2007

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›