Hapja e dosjeve; KE lexon keq ligjin “Nuk ka afat veprimi”
Këshilli i Evropës ka dhënë dje një vlerësim për ligjin shqiptar të hapjes së dosjeve. Në një deklaratë zyrtare për mediat, sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Evropës, Terry Davis, tha dje se KE ndan disa shqetësime në lidhje me këtë ligj. Sipas tij, ligji është i shtrirë shumë, pra prek shumë zyrtarë, dyshohet në paanësinë e procedimit të procesit të lustracionit, sanksionet, si dhe në faktin që ligji s’ka afat veprimi.
Terry Davis deklaroi se ekspertët e KE-së kanë evidentuar në ligjin shqiptar “disa çështje shqetësuese në lidhje me standardet e Këshillit të Evropës”. Çështja e parë sipas tij, që nuk mbush kriteret, është “shtrirja tepër e gjerë e ligjit, për sa u përket kategorive të zyrtarëve, që mund të preken dhe fakti që ligji përfshin persona që aktualisht janë në detyrë”. Kjo çështje që ngre sekretari Davis ka marrë përgjigje nga hartuesit e ligjit shqiptar. Madje, ata kanë deklaruar se në ligj janë përfshirë vetëm funksionarët e lartë, të zgjedhurit nga populli dhe Kuvendi. Sipas hartuesve demokratë, në mjaft vende të Lindjes, ligji i lustracionit ka qenë tepër i fortë, madje ka ndaluar edhe mësues të japin mësim në rast se kanë pasur të kaluar të dyshimtë. Një gjë e tillë ka ndodhur në Gjermaninë Lindore dhe në këtë rast KE ka njohur ligjin gjerman të lustracionit, madje e ka cilësuar si shembull, nisur edhe nga fakti se qe ligji i parë që u miratua për këtë çështje në gjithë ish-Lindjen komuniste, në vitin 1991.
Çështja e dytë që ngriti sekretari Davis ishte “paanësia dhe proporcionaliteti i procedimeve të lustracionit”. Edhe ky shqetësim vihet në diskutim, pasi ligji shqiptar parashikon ngritjen e një komisioni të posaçëm me konsensus, duke mos lejuar përdorimin e tij vetëm nga njëra palë. Pika e tretë që KE ka shfaqur shqetësim është ajo që ky institucion e quan “ashpërsia e sanksioneve të parashikuara dhe fakti që nuk ka një limit kohor”. Në fakt, neni i fundit i ligjit shqiptar parashikon dhjetorin e vitit 2014 si fundin e veprimit të këtij ligji. Davis tha se KE është e gatshme të ndihmojë Shqipërinë në këtë proces, por shtoi se ka disa çështje të tjera për t’u marrë parasysh, si masat për heqjen e trashëgimisë komuniste. “Gjithashtu, vërej disa mospërputhje të rëndësishme në lidhje me rezolutën mbi masat për heqjen e trashëgimisë së ish-sistemeve komuniste totalitare, të miratuar nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës në vitin 1996. Asambleja jonë ka bërë të qartë që çdo masë individuale lustracioni nuk duhet të tejkalojë 5 vjet, që procesi i lustracionit duhet të përfundojë brenda datës 31 dhjetor 1999 dhe që lustracioni nuk duhet të aplikohet mbi kandidatët që marrin pjesë në zgjedhje. Asnjë prej këtyre udhëzimeve nuk është marrë në konsideratë nga ligji shqiptar i lustracionit”, - thuhet në deklaratë.