Berisha: Analizë pas NATO-s
Kanë nisur përllogaritjet e para lidhur me ndryshimet në kabinetin qeveritar pas Samitit të Bukureshtit. Kryeministri Sali Berisha është bërë gati për të ndryshuar qeverinë, menjëherë pas 5 prillit. Lajmi është konfirmuar në mbledhjen e fundit të grupit të PD-së, ku një grup deputetësh demokratë kanë kërkuar analizën e qeverisë dhe ndarjen e përgjegjësisë për tragjedinë e Gërdecit. Nga burimet brenda Kryeministrisë, deri tani, kreu i demokristianëve, Nard Ndoka, do të vazhdojë të qëndrojë në kabinet, por ai do të përfaqësojë PDK-në me një post të ndryshëm nga ai i ministrit të Shëndetësisë. Ndoka është emri më i mundshëm për të zëvendësuar Ylli Pangon në Ministrinë e Kulturës, Turizmit, Rinisë dhe Sporteve. Pango, për shkak të konflikteve të fundit që ka me Kryeministrin Berisha, është i pari ministër i PD-së që do të jetë jashtë kabinetit, menjëherë pas riformatimit të qeverisë së re.