E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndihma e USAID-it për të shpërngulurit e Gërdecit

Populli amerikan, përmes Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) ofroi 50 mijë dollarë për të përmbushur nevojat e menjëhershme të qytetarëve të prekur nga shpërthimi aksidental i municioneve në Gërdec, pranë Tiranës. Kjo ndihmë i është dhënë Kryqit të Kuq Shqiptar (KKSH) përmes Fondit për Emergjenca të Federatës Ndërkombëtare të Kryqit të Kuq dhe të Shoqërive të Gjysmëhënës së Kuqe. Fondet e USAID-it do të përdoren nga KKSH për të mbuluar kostot administrative, transportin, magazinimin dhe shpërndarjen e pakove në zonat e prekura prej shpërthimit. Kjo asistencë do të ofrohet për një periudhë tremujore. Çdo pako familjare ka në përbërjen e saj: batanije, pako të higjienës personale, mbulesa plastmasi, sapunë, detergjentë, enë kuzhine, si dhe miell, oriz, sheqer, vaj vegjetal e fasule. Kjo ndihmë pason asistenca e tjera të ofruara nga qeveria e SHBA-së përmes USAID-it, të cilat u ofruan për blerjen e pajisjeve mjekësore të nevojshme në urgjencë dhënë qendrës së trajtimit të traumës në Spitalin Ushtarak, disa orë pas shpërthimit. Deri dje, KKSH-ja shpërndau ndihma për 130 familje në fshatin Marqinet 2, të dëmtuara nga shpërthimi aksidental i municioneve. KKSH-ja, në bashkëpunim me donatorë brenda dhe jashtë vendit, ka ndërmarrë një operacion ndihme tremujore për 3200 përfitues nga kjo zonë. Që prej fillimit të kësaj emergjence, e deri sot, janë ndihmuar 552 familje me 2585 persona nga fshatrat Gërdec, Marqinet 1 dhe Marqinet 2.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›