E Shtunë, 31 Tetor 2026

Oketa: Gërdeci nuk është më zonë e rrezikshme, por kujdes pyjet

Duke filluar nga dita e sotme, Gërdeci konsiderohet nga qeveria si një zonë e parrezikshme. Lajmi është bërë me dije nga ministri Gazmend Oketa, i cili ka vizituar zonën e dëmtuar të Gërdecit paraditen e djeshme. "Gërdeci nuk është më zonë e rrezikshme, por banorët duhet të tregojnë kujdes, sepse mbetet ende e kontaminuar zona e kraterit", tha Oketa. Fshati Gërdec është vizituar dje nga ministri i ri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa. Kjo vizitë mund të cilësohet si një ndër hapat e parë të kësaj qeverie për të rikuperuar gabimin që u bë nga institucionet e vendit, të cilat sollën atë që më 15 mars tronditi jo vetëm Gërdecin, por edhe strukturën më të lartë të shtetit. Dje ishte dita e fundit e Shtabit të Emergjencës në Gërdec dhe duke filluar nga sot, situata po ecën drejt normalizimit. Dje në terren ishin 340 forca ushtarake, ndërsa sot, sipas ministrit Oketa, do të mbeten vetëm 50 forca. Ministri i ri ka qetësuar banorët e pakënaqur nga dëmshpërblimi i qeverisë, duke u premtuar atyre se "për banorët e pakënaqur nga shpërblimet do të kontraktohen kompani për ndërtimin e banesave". Gjithashtu, ministri Oketa falënderoi forcat e ushtrisë për gatishmërinë e tyre për situatën në Gërdec dhe misionin e tyre për pastrimin e zonës. Shefi i Ministrisë së Mbrojtjes ka paralajmëruar dje se megjithëse zona është jashtë rrezikut të përgjithshëm, banorët duhet të tregohen të kujdesshëm, sepse vazhdon të jetë e kontaminuar zona e kraterit dhe zonat e pyllëzuara.

Ndërkohë, sa i përket anës financiare të problemit, ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, ka deklaruar dje se në terren janë dhjetë grupe pune për të vlerësuar dëmet. Në njoftimin për shtyp të Ministrisë së Brendshme thuhet se ministri Nishani u informua nga kryetari i Bashkisë Vorë, Fiqiri Ismaili, se deri më tani për efekt të përfitimit të dëmshpërblimit financiar për familjet e dëmtuara janë çelur rreth 1700 numra llogarie në agjencitë e bankave që ekzistojnë në Vorë. Një proces tjetër për eliminimin e pasojave të shpërthimit në zonë është edhe akordimi i një ndihme financiare për punëtorët e fabrikës së demontimit të predhave në Gërdec. Ndërkohë vazhdon shpërndarja e ndihmave materiale e ushqimore për familjarët, të akorduara nga qeveria dhe donatorët e ndryshëm. Në një komunikim me median, ministri Nishani deklaroi se procesi i dëmshpërblimit të familjeve dhe ndarjes së ndihmave financiare e materiale për të dëmtuarit po zhvillohet me seriozitet, transparencë e angazhim të plotë nga të gjitha strukturat shtetërore.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›