E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Të premten, në shesh me socialistët

Ilir Meta dhe Lëvizja Socialiste për Integrim deklarojnë pjesëmarrjen në mitingun e ditës së premte. Dje ai pranoi se do t‘i bashkohet nismës së socialistëve në kundërshtimin e qeverisë "Berisha". "Ju e dini që LSI-ja ka qenë e para dhe unë jam i pari që kam vënë gishtin mbi kryefajtorin e tragjedisë së Gërdecit, që është Sali Berisha dhe ne kemi kërkuar të parët dorëheqjen e largimin e tij", u shpreh Meta. Ai kujtoi se ka kërkuar dorëheqjen e Berishës jo vetëm për arsye politike dhe morale, jo vetëm për arsye ligjore, por edhe se prokuroria nuk mund të hetojë në mënyrë të pavarur një Kryeministër, i cili është ende në detyrë. "Do të thosha edhe për arsye shumë njerëzore, sepse ai sa herë që del përpara kamerave dhe para gjithë shqiptarëve u kujton atyre tragjedinë e Gërdecit", nënvizoi kreu i LSI-së. Në këtë aspekt ai konfirmoi bindjen se do të mbështesë çdo iniciativë dhe çdo protestë, pavarësisht se nga kush ndërmerret, por që është e sinqertë dhe vërtet synon në imponimin e dorëheqjes së këtij Kryeministri të papërgjegjshëm dhe të kësaj qeverie. Sipas Metës, vendi ndodhet përpara një momenti historik, përpara marrjes së ftesës për në NATO, në Samitin e ardhshëm të Bukureshtit. "Kjo ftesë është produkt i përkushtimit të popullit shqiptar ndaj vlerave që qëndrojnë në themel të Aleancës së Atlantikut Verior, paqes, sigurisë, tolerancës, bashkëjetesës mes popujve", sqaroi Meta. Ftesa vjen, shtoi ai, edhe si konkretizim i strategjisë së vetë Aleancës për të shtuar radhët e saj me vende që gjenerojnë siguri e që kontribuojnë për paqen, si në rajonin e trazuar të Ballkanit, ashtu edhe më gjerë. "Populli shqiptar ka treguar në vazhdimësi një besnikëri të patundur ndaj Aleancës së NATO-s dhe ka qenë në krah të saj në momentet më të rëndësishme në historinë moderne", konstatoi Meta, sipas të cilit shqiptarët vepruan me vetëmohim dhe treguan një vendosmëri të qartë ndaj NATO-s dhe aksionit të saj ushtarak e humanitar gjatë luftës së vitit 1999 në ish-Jugosllavi. Meta kujtoi se mazhoranca e atëhershme e majtë kishte mbështetur Marrëveshjen e Rambujesë, një moment kyç i vendimmarrjes ndërkombëtare për pavarësimin e Kosovës. "Realizimi i këtij objektivi as mund të privatizohet, as nuk mund të cenohet nga demagogjia tashmë e dalë boje e Berishës, se "ftesa do të na vijë ngaqë janë bërë reforma që nga viti 2005". Kreu i LSI-së argumentoi se nëse ka një njeri që ka vonuar integrimin e Shqipërisë në NATO, ky është Sali Berisha. "Ishte Berisha ai që shkatërroi jo vetëm ushtrinë shqiptare, por gjithë shtetin dhe institucionet e tij në 1997-ën", insistoi Meta. Ai u ndal edhe në faktin se ishte Berisha që preku votën e lirë të shqiptarëve dhe nuk ka hequr akoma dorë ndaj cenimit të themeleve të demokracisë, zgjedhjeve të lira, ashtu siç po përpiqet të bëjë edhe sot me reformën zgjedhore. Për Metën, Berisha duhet ta ketë të qartë se ftesa që aleatët tanë do të na bëjnë për në NATO është mbi të gjitha një përgjegjësi shumë më e lartë për të realizuar reformat e domosdoshme deri në momentin e anëtarësimit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›