E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Anëtarësimi në NATO, realizim i ëndrrës së Azemit dhe i ëndrrës së dëshmorëve

Krerët më të lartë të shtetit përkujtojnë 5 majin. Rama dhe Meta sërish të ndarë

“Ditën e dëshmorëve këtë vit shqiptarët e përkujtojnë më të lehtësuar se kurrë ndaj
të rënëve tanë, pasi Shqipëria, si vend anëtar i NATO-s, ëndrrën dhe idealin e tyre e ka
të sigurt një herë e përgjithmonë”.
Kështu është shprehur kryeministri Sali Berisha gjatë ceremonisë zyrtare përkujtimore me rastin e 5 Majit, Ditës së Dëshmorëve ku në shenjë kujtimi dhe respekti të veprës së tyre heroike, vendosi një kurorë me lule pranë monumentit “Nënë Shqipëri”.
“Sot, është një ditë që çdo shqiptar përulet me nderimin më të madh dhe shpreh mirënjohjen më të thellë ndaj të gjithë atyre që flijuan jetën, rininë dhe çdo gjë të shtrenjtë për lirinë e kombit dhe të vendit. Sot më shumë se kurrë shpirti i tyre shkëlqen dhe rrezaton si ky diell pranveror në zemrën e çdo shqiptari, ndriçon rrugën tonë drejt të ardhmes. Sot, ne shqiptarët e nderojmë këtë ditë më të lehtësuar se kurrë ndaj të rënëve tanë, pasi Shqipëria, si vend anëtar i NATO-s, ëndrrën dhe idealin e tyre, për të cilin ata ranë për t’u bërë të pavdekshëm, e ka të sigurt një herë e përgjithmonë. Edhe një herë shpreh nderimin më të thellë ndaj atyre që ranë për të qenë ne të lirë; ndaj atyre që u flijuan për të pasur ne dinjitetin kombëtar; ndaj atyre që sot shkëlqejnë me shpirtin e tyre dhe ndriçojnë rrugën e kombit. Pra, të gjithë familjeve të tyre, të gjithë familjeve që u mungojnë të afërmit, që u mungojnë fëmijët, që u mungojnë prindërit, sot është një ditë
e nderimit të madh të kombit ndaj tyre”, deklaroi kreu i qeverisë Berisha.
I pranishëm në ceremoninë zyrtare edhe Presidenti i Republikës Bamir Topi bëri homazhe në varrezat e Dëshmorëve të Kombit, ndërsa vlerësoi se kjo ditë e shënuar vjen si çdo vit tjetër me një simbolikë të veçantë.
Në përkujtim të 5 majit, Ditës së Dëshmorëve, Kministri Berisha bëri vizita në familjen e martirit të demokracisë, Azem Hajdari dhe në familjen e zonjës Luftare Ngjela, motra e dëshmorit Shyqyri Buzi dhe heroit të popullit Hiqmet Buzi. Pas vizitës në shtëpinë e të ndjerit Azem Hajdari, Kryeministri Berisha, në një prononcimi për mediat, vlerësoi lart figurën dhe kontributin që Azem Hajdari ka dhënë për lirinë dhe dinjitetin e shqiptarëve.
Edhe pse një nga festat simbol të komunizmit, e majta e ka përkujtuar për të dytin vit radhazi e ndarë Ditën e Dëshmorëve. Drejtuesit e Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim janë kujdesur që ceremonitë e rastit të zhvillohen në një distancë të kohore prej 60 minutash nga njëri-tjetri.
Lideri i LSI-së, Ilir Meta i shoqëruar nga kreu i PS91, Petro Koçi dhe drejtues të tjerë të koalicionit “E majta për Integrim”, janë gjendur rreth orës 11.00 të paradites së djeshme në varrezat e Dëshmorëve të Kombit. Pas homazheve pranë monumentit “Nënë Shqipëri”, Meta vlerësoi se e djeshmja ishte një ditë e idealeve të dëshmorëve për një Shqipëri të lirë, demokratike dhe të begatë.
Një orë më vonë kanë mbërritur në varreza drejtuesit e Partisë Socialistëve dhe aleatëve të tyre. Ndryshe nga lideri i LSI, Rama e shfrytëzoi aktivitetin e djeshëm për të përçuar mesazhet e tij elektorale për domosdoshmërinë e një politike të re përtej së majtës dhe të djathtës.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›