E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Fitorja e PD-së, më e madhe se 4 vjet më parë”

Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli takohet me banorë të Shëngjinit

TIRANE - Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli ka zhvilluar dje një takim me banorët e komunës së Shëngjin, komunë që është transformuar tërësisht, ku investimi vetëm në dy vitet e fundit është rreth 11 milionë euro.
Sipas saj, mësohet se me këtë buxhet janë bërë investime të rëndësishme e me vlerë të jashtëzakonshme për këtë komunë si Rruga Shëngjin-Lezhë investim 2.1 milionë euro, Ujësjellësi i Shëngjinit, shqetësim historik i këtij qyteti, me vlerë 3 milionë euro. Rehabilitim i kaskadës dhe derdhjes së lumit Drin 1.6 milionë euro, rruga nga ishulli Lezhë drejt qytetit Lezhë 700 mijë euro, sistemi biologjik i pastrimit të ujërave të zeza 3.4 milionë euro e të tjera investime të mëdha. Gjatë fjalës së mbajtur përpara banorëve të Shëngjinit, Kryetarja e Kuvendit tha se kjo rritje e buxhetit, këto para për investime janë para të ardhura nga doktrina e re ekonomike e rritjes së rrogave, rritjes së pensioneve, uljes së taksave, doktrina e rritjes së investimeve, doktrinë që ka bërë që jo vetëm Shëngjini të ndryshojë, por të ndryshojë e gjithë Shqipëria.
Duke bërë një dallim mes dy doktrinave, të djathtë dhe të majtë, Kryetarja Topalli, tha se “Doktrina ekonomike e Sali Berishës ka bërë që jo vetëm Shëngjini të ndryshojë, por të ndryshojë gjithë Shqipëria. Kudo që shkoj në çdo fshat, në çdo komunë, shoh një Shqipëri që po ndryshon, një Shqipëri që po ndryshon e shoh nga maja e veriut deri në jug në pikën më të poshtme të Shqipërisë, ku janë ndryshuar rrugë, këtë Shqipëri që po ndryshon e shoh në çdo fshat”.
Kryetarja e Kuvendit foli për një nismë tjetër të qeverisë, tashmë të përmbushur, rritjen e pagave dhe pensioneve.
“A dini ndonjë qeverisje tjetër që në 4 vjet të ketë dyfishuar rrogat e arsimtarëve të tyre dhe një numër që shkon në 44 mijë familje, të cilave ne ua kemi dyfishuar rrogat, vetëm tek arsimtarët, pa folur për një numër prej 500 mijë familjesh të tjera, pensionistësh të cilëve në qytet ua kemi rritur pensionet nga 50-80  për qind, ndërsa në fshat ua kemi rritur pensionet 50-130 për qind dhe mesatarisht çdo pensionisti në Shqipëri ia kemi rritur të ardhurat e tyre jo 50, 60 për qind, por 100 për qind”, tha Kryetarja Topalli.
Duke folur për doktrinën e zbatuar nga Kreu i Qeverisë, Topalli u ndal edhe në rritjen ekonomike të shqiptarëve.
“Kjo është një doktrine e re ekonomike e Sali Berishës që ka funksionuar më mirë se kudo tjetër.  Një doktrinë ekonomike e bazuar në rritjen ekonomike, një rritje ekonomike që vetëm në vitin e kaluar shkoi në 8 për qind, një doktrinë ekonomike e bazuar në rritjen e rrogave, rritjen e pensioneve, uljen e taksave, një doktrinë ekonomike me një vizion të jashtëzakonshëm që 30 për qind e buxhetit të saj e kalon në infrastrukturë dhe ndërtim. Infrastrukturë do të thotë më shumë para, më shumë punësim, më shumë të ardhura për çdo familje”.
Kryetarja e Kuvendit duke u ndalur te zgjedhjet e 28 qershorit, u shpreh e sigurt në fitoren e PD-së dhe aleatëve të saj.
“Unë kam besim që në zgjedhjet e ardhshme, në 28 qershor fitorja e Partisë Demokratike do të jetë më e madhe, më e fortë seç ka qenë 4 vitet e para”.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›