Berisha-Arvizu: Numërim të saktë çdo vote të 8 majit
Valentina Madani
Mazhoranca e djathtë mbetet e vendosur për të pranuar çdo rezultat që del nga vota e qytetarëve, e hedhur në kutitë e 8 majit për drejtuesit e rinj lokalë në mbarë vendin. Kryeministri Sali Berisha priti dje në mesditë në mjediset e selisë qeveritare grupin e vëzhguesve zgjedhorë të dërguar nga qeveria e SHBA-ve për vëzhgimin e zgjedhjeve lokale të 8 majit 2011. Ambasadori amerikan, Aleksander Arvizu, i cili shoqëronte vëzhguesit, në fjalën e tij vuri në dukje se ky mision vëzhgimi, me rreth 60 vëzhguesit e tij, ishte një kontribut i drejtpërdrejtë i qeverisë amerikane për transparencën e procesit zgjedhor. Ambasadori Arvizu theksoi se ky mision i veçantë dhe kaq i gjerë vëzhgimi është një dëshmi e qartë e miqësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj Shqipërisë, por edhe e angazhimit ndaj vlerave që dy vendet ndajnë së bashku. Kryeministri Berisha shprehu mirënjohjen dhe falënderoi Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe qeverinë e saj si dhe vëzhguesit për gatishmërinë dhe kontributin e madh për të siguruar transparencë maksimale në procesin e votimit dhe numërimit të votave, pavarësisht se zgjedhjet e 8 majit ishin zgjedhje vendore. Z. Berisha vuri në dukje se procesi zgjedhor që po zhvillohet, mbështetet mbi një bazë ligjore solide, konsensuale dhe të certifikuar ndërkombëtarisht dhe se përdorimi i teknologjisë në procesin e numërimit garanton transparencë dhe saktësi maksimale në këtë proces. Ai theksoi se çdo votë e hedhur në kutitë e votimit për kandidatët e subjekteve të ndryshme do të numërohet me saktësi të plotë. Kryeministri Berisha vlerësoi dhe ndau të njëjtin qëndrim me atë të kreut të misionit të OSBE/ODIHR-it, zotit Stonestreet, i cili gjatë prezantimit të deklaratës paraprake theksoi se pavarësisht zgjatjes së procesit të numërimit, ajo që ka rëndësi dhe mbizotëron, është saktësia dhe transparenca e këtij procesi. Kreu i qeverisë u shpreh se nga këto zgjedhje fituan shqiptarët. Duke theksuar se mazhoranca mbetet e vendosur për të pranuar çdo rezultat që del nga vota e qytetarëve, ai shprehu kënaqësinë se vota e përgjithshme popullore rikonfirmoi besimin dhe mbështetjen e mazhorancës së zgjedhësve ndaj qeverisë.
Arvizu, thirrje Ramës: Ruaj qetësinë, qëndro larg traziraveThirrjet ekstreme të lidershipit të PS-së për grumbullimin e qytetarëve pranë qendrave të numërimit të votave në Tiranë duket se kanë shqetësuar pa masë ambasadën amerikane në Tiranë. Vetë ambasadori Aleksander Arvizu mbërriti dje në selinë e PS-së, ku mësohet se kryetarit Edi Rama i është kërkuar që të ruajë qetësinë dhe të qëndrojë larg trazirave. Për takimin që u zhvillua me kreun e Partisë Socialiste, Edi Rama, i cili zgjati për rreth 25-30 minuta, nuk u dha asnjë prononcim nga të dyja palët, duke u treguar hermetike zyra e shtypit e PS-së. Burime konfidenciale pranë selisë rozë theksuan se ambasadori Arvizu i ka dhënë mesazh liderit të opozitës për qetësimin e situatës dhe për shmangien e tensioneve. Mësohet gjithashtu se pjesë e këtij diskutimi midis kreut socialist dhe ambasadorit amerikan ishte edhe çështja e numërimit të votave deri më tani dhe kryesisht kërkesa e veçantë e Arvizusë për njohjen e rezultatit dhe të zgjedhjeve në tërësi nga vetë selia rozë dhe kreu i saj. Kjo është një ndër kërkesat kryesore, jo vetëm e ambasadorit amerikan, por edhe e të gjithë ndërkombëtarëve për të dyja palët politike në vend. Thirrjet e përfaqësuesve të selisë rozë ndaj qytetarëve për të dalë nga shtëpitë e tyre dhe për mbledhjen e tyre përpara njësisë nr. 5, ku sipas socialistëve, po bllokohet procesi i numërimit nga vetë përfaqësuesit e mazhorancës, nuk janë pritur aspak mirë edhe nga vetë ndërkombëtarët. Sigurisht që në një situatë të tillë zgjedhore, si në Tiranë, kur kanë ngelur vetëm disa kuti deri në përfundim të procesit të numërimit dhe shpalljes së rezultatit përfundimtar për kandidatin që do ta drejtojë kryeqytetin në katër vitet e ardhshme, thirrjet e drejtpërdrejta ndaj qytetarëve për të dalë në qendrat e numërimit nuk janë aspak në favor të klimës së qetë, por përkundrazi, ato pështjellojnë edhe më shumë tensionin e krijuar normalisht midis dy kampeve në këtë fund gare.