SHBA: Shqipëria plotësoi standardet e NATO-s, tani edhe të BE-së
Valentina Madani
Shtetet e Bashkuara të Amerikës vlerësojnë se Shqipëria po plotëson standardet e NATO-s dhe BE-së, duke bërë thirrje që kushdo qoftë fituesi i zgjedhjeve të 8 majit, të respektohet. Anëtari i Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit Amerikan, Eliot Engel, duke iu referuar zgjedhjeve lokale në Shqipëri, kërkon që numërimi i votave të vazhdojë pa vështirësi, ndërsa bëri thirrje që palët politike ti përmbahen ligjit. Kongresmeni amerikan i kujton klasës politike se SHBA po ndjek me vëmendje ecurinë e procesit zgjedhor, duke u fokusuar në atë të numërimit të votave.
Ne po ndjekim rezultatet e zgjedhjeve në Shqipëri. Nuk e di kush do të fitojë. E di se rezultati është shumë i ngushtë, por shpresoj se të dyja palët do të bien dakord me sundimin e ligjit për sa u përket zgjedhjeve. E di se numërimi vazhdon dhe shpresoj se do të vazhdojë pa ndonjë vështirësi, - theksoi Engel. Më tej ai nuk fshehu faktin se shpreson se cilido që të fitojë, duhet të respektohet, sepse kjo do ti tregojë Bashkimit Evropian që Shqipëria po i plotëson standardet e BE-së. Jam shumë i gëzuar që Shqipëria i plotësoi standardet e NATO-s, por këto zgjedhje do ti tregonin Bashkimit Evropian se Shqipëria e dëshiron anëtarësimin në BE, - shtoi më tej Engel.
Engel i bëri komentet në një takim me përfaqësues të shoqërisë civile nga Kosova, të cilët vizituan Kongresin amerikan. Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dërguar në Shqipëri një grup vëzhguesish, i cili ndoqi në terren dhe pa nga afër procesin e votimit ditën e diel të 8 majit, ndërkohë që po këta vëzhgues po ndjekin edhe numërimin e votave në qendrat ku ata janë instaluar. Vetë ambasadori dhe zëvendësambasadorja e SHBA-së në Tiranë, Aleksander Arvizu dhe Deborah Jones, kanë vëzhguar numërimin e votave në njësitë nr. 2 dhe njësinë bashkiake nr. 5 në kryeqytet. Po dje, ambasadori Arvizu zhvilloi takime të veçanta me Kryeministrin e vendit, Sali Berisha, dhe me kreun e opozitës, Edi Rama.