E Diel, 1 Nëntor 2026

Strategjia e qeverisë, 5 kushtet që rrisin cilësinë e administratës



Efikasiteti i administratës përbën një nga faktorët përcaktues vendimtarë për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Sipas Kryeministrit Berisha, qeveria do të bëjë përpjekje të mëdha për zhvillimin më tej të administratës publike, në katër vitet e ardhshme dhe në këtë kontekst, strategjia synon të zgjerojë e konsolidojë korpusin e punonjësve të shërbimit civil.

Zgjerim të administratës publike, ngritja e një universiteti të posaçëm për rritjen e cilësisë së saj, gradime si zyrtarët e lartë perëndimorë, konsolidim të shërbimit civil dhe agjencitë, jo më në varësi të ministrave. Qeveria synon rritjen e efikasitetit të administratës publike dhe këtij qëllimi do t’i shërbejë edhe strategjia më e re, ajo e përmirësimit të kualitetit të saj. Pikërisht, në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Ministrave u miratua dokumenti i Strategjisë për Administratën, i cili parashikon dhe ngritjen e një fakulteti të posaçëm nga qeveria për kualifikimin e administratës civile. Sipas Kryeministrit Sali Berisha, asgjë nuk i përcakton më shumë ritmet e integrimit evropian sesa aftësia dhe fuqia reformuese e administratës. Para anëtarëve të kabinetit, Berisha vuri në dukje se është pikërisht efikasiteti i administratës, i cili përbën një nga faktorët përcaktues vendimtarë për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, prandaj sikundër roli i saj po rritet dhe vështirësohet, ashtu ai edhe duhet ndihmuar për të qenë sa më eficent në rrugën e gjatë të këtij procesi. “Procesi i integrimit në Bashkimin Evropian, - tha Kryeministri Sali Berisha, - është një univers i vërtetë reformash, ligjesh, vendimesh dhe zbatimi të tyre, të cilat përpilohen dhe zbatohen nga administrata publike”. Berisha shtoi se qeveria do të bëjë përpjekje të mëdha për zhvillimin më tej të administratës publike, në katër vitet e ardhshme dhe në këtë kontekst, strategjia synon të zgjerojë e konsolidojë korpusin e punonjësve të shërbimit civil. “Ne ecim drejt integrimit dhe e theksoj edhe një herë se procesi i integrimit është procesi i negociatave më intensive në historinë e vendit. Janë me qindra e me mijëra problematikat që do të negociohen me Komisionin Evropian, me vendet anëtare gjatë viteve që vijnë”, - u shpreh z. Berisha. Në këtë kontekst, administrata e ka jetike zgjerimin dhe konsolidimin e shërbimit civil, si shërbimi më kompetent, me ekspertizën më të lartë dhe më i pandikuar nga vajtje-ardhjet politike në pushtet. Berisha vuri në dukje: “Qeveria jonë ka përcaktuar si objektiv gjatë këtij katërvjeçari ngritjen e një universiteti për administratën publike”. “Ne, - përmendi ai, - kemi një institut pranë Departamentit të Administratës Publike, por unë mendoj se ne kemi të domosdoshëm ngritjen e këtij universiteti dhe ju garantoj se ai do të provohet si një investim shumë i dobishëm për vendin”. Kryeministri vuri në dukje se në këtë strategji synohet që të zgjerohet korpusi i punonjësve të shërbimit civil, si një domosdoshmëri. Realitet është se është krijuar një seri agjencish me shkallën më të lartë të ekspertizës, të cilat kanë mbetur në varësi të ministrit. “Ato duhet të jenë në varësi të ligjit. Krijimi i tyre është një meritë e madhe. Ato menaxhojnë procese shumë të avancuara dhe me sukses të plotë. Natyrisht, ato i përkasin dhe duhet t’i përkasin fondit të shërbimit civil. Po kështu, në qeveritë vendore, pa abuzuar me këtë problem, është e domosdoshme të konsolidohet korpusi i shërbimit civil. Mund të shqyrtohet edhe ligji, sepse në rastin e agjencive, ato nuk janë në këtë shërbim, pasi ligji atribuon administratën e ministrive dhe të qeverive vendore. Shërbimi civil duhet të shtrihet edhe në komunat e vendit”, - theksoi z. Berisha. Sipas tij, ky katërvjeçar duhet të shënojë një lëvizje të fuqishme, një përpjekje të madhe të kësaj qeverie për zhvillimin dhe konsolidimin më tej të administratës publike. “Po ashtu, do të jepen gradimet, siç i kanë edhe vendet e tjera, si zyrtar i lartë civil. Ai, që me përpjekjet dhe performancën e tij, merr këtë nivel, e fiton kur dëshmon se është i aftë të jetë sekretar i përgjithshëm jo në një ministri, por në secilën ministri ku mund t’i ngarkohet detyra, ai që ka arritur atë stad formimi dhe pjekurie”, - u shpreh z. Berisha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›