E Shtunë, 31 Tetor 2026

Peticionet, Bashkia e Tiranës, me më shumë ankesa



Bashkia e Tiranës është institucioni ku qytetarët dërgojnë më shumë ankesa se në çdo institucion tjetër në vend. Një studim i Qendrës së Studimeve Parlamentare publikoi dje shifrën e peticioneve të dërguara nga qytetarët në institucionet shtetërore gjatë vitit 2008. “Statistikat e marra pranë institucioneve dëshmojnë për rritje të numrit të peticioneve dhe ankesave, përkatësisht: pranë Presidencës 2500 ankesa e kërkesa në vit; pranë MB-së 3600 ankesa/vit; pranë KLD-së 2101 ankesa, institucioni i Avokatit të Popullit 4000 ankesa të ardhura në vit dhe Bashkia Tiranë 26 000 ankesa në vit”, - thuhet në studim. Institucionet e monitoruara kanë qenë: Presidenca, Kuvendi, Këshilli i Ministrave, Ministria e Brendshme, Avokati i Popullit, Këshilli i Lartë i Drejtësisë dhe Bashkia Tiranë. “Në përfundim të procesit të monitorimit mbi zbatimin e së drejtës së peticionit në institucionet qendrore të administratës publike mund të themi se marrja dhe trajtimi i peticioneve, ankesave dhe kërkesave rregullohet kryesisht me rregullore të brendshme të institucionit, K.Pr.A, ligji për informimin mbi dokumente zyrtare. Nuk ka një praktike uniforme dhe të njësuar në trajtimin e peticioneve dhe ankesave në të gjithë institucionet. Trajtimi i peticioneve dhe i ankesave është i njëjtë pa dallime në procedurë, qoftë kur dërgohet nga një person i vetëm apo grup personash”, - thotë më tej studimi. Në fund të tij studimi paraqet një numër rekomandimesh për përmirësimin e shërbimit ndaj qytetarëve, kur vjen fjala për paraqitjen e ankesave apo peticioneve në institucione qendrore.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›