E Diel, 1 Nëntor 2026

Investimet e huaja, Shqipëria rekord, 956 milionë USD më shumë



Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Zhvillimin dhe Tregtinë publikoi raportin vjetor për investimet e huaja, duke evidentuar se Shqipëria ndodhet në vendin e dytë në botë për thithjen e investimeve të huaja. Gjatë vitit 2018, Shqipëria ka pasur një rritje në investimeve të huaja direkt në masën 956 milionë dollarë më shumë se një vit më parë ose 20.8 për qind. Këto shifra e vendosin Shqipërinë në vendin e parë në rajon. Ndërsa në botë investimet kanë rënë me 14%, Shqipëria cilësohet nga OBK-ja si vendi rekord i planetit.

Shqipëria fiton famën si vendi më tërheqës në thithjen e investimeve të huaja dhe këtë e thonë shifrat e Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Zhvillimin dhe Tregtinë publikoi dje raportin vjetor për investimet e huaja për të gjitha vendet e botës, ku evidenton se Shqipëria mban vendin e dytë në planet për shifrën e rritjes në përqindje të investimeve brenda vitit 2008. Kështu, vendi ynë është i pari në rajon për thithjen e investimeve të huaja. Në total, Shqipëria ka përfituar investime direkt në ekonomi nga bizneset e huaja 956 milionë dollarë në total gjatë vitit 2008. Këto para kanë hyrë në Shqipëri në formën e investimeve direkt, privatizimet etj. Në këtë mënyrë, Shqipëria merr një notë tepër pozitive për pozitën e saj në botë për tërheqjen e investimeve të huaja. Krahas OKB-së që evidenton se ka pasur shifër rekord investimesh, edhe Banka Botërore ka deklaruar se Shqipëria ndodhet në vendin e dytë në reformat e lehtësimit të barrës së biznesit. Specialistët e Ministrisë së Ekonomisë shprehen se tashmë Shqipëria i është afruar 1 miliard dollarëshit investime në vit, një shifër e cila mban vendin në podet më të larta. Mbi të gjitha, kjo sasi investimesh do të rrisë më tej shifrën e tyre, kjo për shkak se priten të investohen më tej para në ekonomi.

Raporti

Sipas raportit të agjencisë së OKB-së, viti 2008 shënoi një rritje në masën rreth 20 për qind, duke arritur në një shumë totale prej 956 milionë dollarë. Në vitin 2005 ishte 264 milionë dollarë totali i investimeve të kompanive të huaja. Nga viti në vit ka arritur në tregues pozitivë deri në vitin e kaluar. Ndërkaq, investimet e huaja direke kanë rënë gjatë këtij viti në të gjithë botën, pas një periudhë disavjeçare zhvillimi. Por ndryshe nga vendet e tjera, Shqipëria ka rritur investimet. Sipas agjencisë së Kombeve të Bashkuara investimet në planet kanë rënë 14 për qind. Nga një rekord i lartë prej USD 1.98 trilionë në 2007 në vitin 2008 ishte 1,70 trilionë dollarë dhe vlerësohet të bjerë në më pak se 1.2 trilion dollarë në vitin 2009. Konferenca e OKB-së për Tregtinë dhe Zhvillimin, e zhvilluar dje, bën të ditur se “kriza aktuale financiare dhe ekonomike ka pasur një efekt goditës për investimet e huaja". “Në kontrast, ekonomitë në zhvillim si edhe ekonomitë në tranzicion në Bashkësinë e Shteteve të Pavarura dhe Evropën Juglindore - Shqipëria dhe shtetet e ish-Jugosllavisë me përjashtim të Sllovenisë – kanë shënuar rritje rekord në vitin 2008. “Megjithatë, në vitin 2009, flukset e investimeve të huaja në të gjitha rajonet janë parashikuar të bien”, - thotë raporti i UNCTAD. Shtetet e Bashkuara mbeten përfituesi më i madh i investimeve të huaja në vitin 2008, pavarësisht nga turbullirat në tregjet financiare. Investimet e huaja direkte në Shtetet e Bashkuara u rritën 17 për qind USD ose 316.11 miliardë dollarë.

Investimet në vite

Investimet e huaja në Shqipëri në vite

Viti 2005 264 milionë USD 11.9 % rritje

Viti 2006 324 milionë USD 10.2 % rritje

Viti 2007 658 milionë USD 17.1 % rritje

Viti 2008 956 milionë USD 20.8 % rritje

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›