E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Autostrada Qafë Plloçë-Qukës, brenda 2010-ës

Kryeministri premton shëtitore në Pogradec dhe vende të reja pune në Gramsh


POGRADEC- Kryeministri Sali Berisha u ndal dje në qytetin e Pogradecit, ku si në çdo tubim tjetër, kreu i ekzekutivit ka bërë premtimet e radhës.


Gjatë fjalës së mbajtur, kreu i ekzekutivit ka theksuar se për Pogradecin ka një projekt gjigant, që synon ndërtimin e një shëtitoreje nga më të mëdhatë në Europë, nga fshati Lin në Pogradec dhe nga Pogradeci në Tushemisht, e gjitha buzë liqenit, rreth 30 km e gjatë, me ndriçim, trotuare dhe infrastrukturë bashkëkohore.


Kryeministri ka kërkuar votën e qytetarëve të Pogradecit, pasi, sipas tij, në rast fitoreje, qeveria e tij do të sigurojë 160 mijë vende të reja pune.


Kryeministri Berisha ishte dje edhe në Maliq, ku premtoi se autostrada Qafë Plloçë - Qukës, do të përfundojnë në fund të vitit 2010. Ndërsa dje paradite, ishte Gramshi qyteti i radhës, në të cilin është ndalur kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha.


"Gramshi do të jetë në krye të përpjekjeve të qeverisë sime për ta shndërruar Shqipërinë në superfuqi energjetike rajonale.


Unë ju garantoj ju se, në 4 vitet që vijnë, vetëm me HEC-et e Banjës dhe me hidrocentrale të tjera të kaskadës së Devollit, do të punësohen rreth 7000 punonjës. Por, ky është vetëm njëri, nga një seri hidrocentralesh të tjerë, të cilët janë në ndërtim e sipër apo nisin ndërtimin.


Gjithashtu, disa hidrocentrale të vogla me kapacitet nga 4.7 deri në 20 megavat, hynë të gjitha në prodhim brenda këtij mandati. Dhe që të gjitha së bashku janë të barabarta me HEC-in e Ashtës", - tha Berisha në Gramsh.


Premtimeve të shumta të liderit të PD-së në këtë qytet, u janë shtuar edhe rritja e pagave të mësuesve, pensioneve, ndihmës ekonomike, ulja e nivelit të varfërisë me skema dhe projekte ndihmese për familjet në varfëri ekstreme, shtrimin e rrugëve të brendshme të Gramshit, lufta kundër krimit dhe korrupsionit, shtrirja e ujësjellësve në çdo shtëpi etj.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›