E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha premtime Pogradecit

Pogradec - Kryeministri Sali Berisha është ndalur në Pogradec, nga ku ka deklaruar premtimet e mbajtuar në katër vitet që ikën. Duke folur për investimet në zonën e Pogradecit, Berisha tha se mbi liqen nuk do të derdhet më ujë i ndotur. “Prapë le të qëndrojmë tek liqeni, nga Lini në Pogradec nga Pogradeci në Tushemisht, e tëra do të jetë shëtitorja më e gjatë e kombit, do të jetë e tëra me trotuare, me ndriçimin më të bukur, me pemët dhe zbukurimet, që kjo shëtitore meriton. Por, ne mblidhemi sot këtu pasi premtimet tona i kemi shndërruar në realitet”-tha Berisha. Kryeministria theksoi se në katër vite ne ia dolëm të renditemi të parët në rajon dhe në dhjetëshen më të mirë në botë për luftën kundër korrupsionit.

“Me këtë platformë ne investuam 1.6 miliardë dollarë dhe jam këtu për tu zotuar përpara fermerëve të Pogradecit se në katër vite që vijnë çdo projekt i tyre për rritjen e prodhimit, për përpunimin e këtyre prodhimeve do të financohet nga qeveria shqiptare. Jam këtu për t’iu zotuar atyre, se të gjitha inputet që do të përdoren për të gjitha kulturat bujqësore do të subvencionohen përfshirë këtu edhe naftën, në baze të sipërfaqes së mbjellë”-vijoi më tej ai.

Berisha shtoi se kërkonte votën, në mënyrë që fshatrat e Pogradecit por edhe të mbarë Shqipërisë të llamburitin si lagjet e qyteteve. “Unë kërkojë votën tuaj që si pogradecarët dhe shqiptarët të kenë nivelin e papunësisë nën mesataren e vendeve anëtare të Bashkimit Europian. Në katër vitet që vijnë unë zotohem këtu, se do të krijoj 160 mijë vende pune. Në katër vitet që vijnë Shqipëria do të ketë nivelin evropianë të studentëve për frymë”-premtoi kreu i Partisë Demokratike.

Në vijim të premtimeve të tij, kreu i qeverisë shqiptare ka shtuar se në katër vitet që vijnë nuk do të ketë qytetar shqiptarë që të ketë të ardhura nën 2 dollarë në ditë. “Në katër vitet që vijnë fermerët e Pogradecit dhe mbarë Shqipërisë do të ndihen fermerë evropian, se ne do të shumëfishojmë investimet për urbanizimin për sistemin e vaditjes, kullimit, për përpunimin bujqësor, për nxitjen e prodhimit, për shkollat, kopshtet, për ujësjellësit dhe kanalizimet në mbarë këtë vend. Në katër vite që vijnë unë kërkoj votën tuaj që t’ua japim Shqipërinë shqiptarëve në pëllëmbë të dorës, të ndërtojmë boshtet e shkurtra rrugore, në mënyrë që ju, Tepelena, Vermoshi, Tropoja të zbresin në Tiranë, në kryeqytetin e tyre, me më pak se gjysmën e kohës që ju duhet tani”-vijoi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›