“Shqipëria arritje të dukshme në sistemin dhe rritjen e sigurisë”
Kryeministri diskuton me Drejtorin e Përgjithshëm të “Eurocontrol” mbi zhvillimin e sektorit të shërbimit civil ajror
TIRANE - Kreu i qeverisë Sali Berisha prit dje në një takim Drejtorin e Përgjithshëm të Organizatës Europiane për Siguri dhe Kontrollit Ajror (Eurocontrol) David McMillan.
McMillan i prezantoi kryeministrit punën e bërë deri tani dhe arritjet në këtë drejtim.
Ai tha se Shërbimi Civil Ajror (ACA) ka performuar me sukses në projektin e asistuar nga kjo organizatë. Shqipëria është anëtare e këtij organizmi dhe ka shënuar arritje të dukshme për sa i përket modernizimit të sistemit dhe rritjes së sigurisë. Arritjet e shënuara që nga momenti i anëtarësimit deri tani, u shpreh zoti McMillan, e kanë bërë Shqipërinë një treg të kërkuar të kompanive ajrore. Si rezultat i reformave të ndërmarra, rritjes së autonomisë së këtij institucioni dhe asistencës nga organizmat ndërkombëtare është arritur rritja e trafikut ajror dhe shumëfishimi i të ardhurave nga ky aktivitet.
McMillan falënderoi kryeministrin për mbështetjen e dhënë dhe për atmosferën bashkëpunuese, të krijuar nga qeveria dhe institucionet shqiptare me të cilat kjo organizëm bashkëpunon.
Berisha e falënderoi McMillan për asistencën e dhënë në këtë drejtim. Ata diskutuan për situatën ekonomike në kuadrin e krizës botërore dhe mbi masat dhe forcimin e përpjekjeve në drejtim të evitimit dhe minimizimit të pasojave të krizës. Duke qenë se, në përgjithësi, sektori i shërbimit civil ajror është prekur nga kriza dhe ka ulje të ndjeshme në tregun europian, në takim u diskutua mbi masat për evitimin e saj në tregun shqiptar. Berisha shtoi se do të punohet më tepër për të tërhequr linjat ajrore me kosto të ulët që veprojnë në Europën veriore.