E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha-Ballës: Ta bëj fytyrën si këpuca

Debate të ashpra mes kryeministrit Sali Berisha dhe deputetit të PS-së, Tauland Balla për lojërat e fatit në Tiranë
Balla: Një kazino në bllok thuhet se është e Shkëlzenit. Berisha: Ta mbyll gojën
TIRANË- Kazinotë dhe lidhjet e politikës me pronësinë mbi to janë bërë shkak i një debatit të ashpër dje në sallën e Kuvendit të Shqipërisë, ku nuk kanë munguar edhe kërcënimet ndaj deputetëve të veçantë nga ana e kryeministrit Sali Berisha. Shkak i këtij debati është bërë pikërisht një deklaratë e deputetit socialist Tauland Balla, i cili duke marrë fjalën gjatë diskutimit të çështjeve jashtë rendit të ditës, ka sjellë në vëmendjen e Kuvendit dhe opinionit publik, faktin se shumë prej kazinove dhe lojërave të fatit që operojnë në Shqipëri nuk paguajnë detyrimet tatimore. Kjo, sipas tij, vetëm për arsye se shumë prej këtyre subjekteve private të licencuara si "Lojëra Fati" kanë suport politik nga ministra dhe pushtetarë të ndryshëm, duke aluduar këtu edhe për presidentin e Republikës, Bamir Topi. "Z.Kryeministër, po të shkoni në Bllok mund t'ju thotë dikush se kjo kazino është e Shkëlzenit (djali i Berishës). Sigurisht, me thënë të drejtën e pranoj dhe e mirëkuptoj se kjo mund të jetë një fjalë blloku, siç mund të quhet, dhe unë e mirëkuptoj që nuk mund të jetë e djalit e tuaj. Por të lutem, shpjegoji shqiptarëve se ajo kazino në qendër të Bllokut nuk mbrohet nga djali juaj. Një kazino tjetër thonë se është e Ridvan Bodes. Sigurisht, z.Kryeministër ndoshta nuk është kazinoja juaj, por nuk kontrollohet asnjëherë nga institucionet tatimore dhe si e tillë, ju lutem, tregojuni shqiptarëve që ajo kazino nuk është kazinoja juaj. Një njësi tjetër përsëri për lojëra fati, por që është e lidhur me Presidentin. Unë e mirëkuptoj që ajo nuk është e lidhur me Presidentin, por të lutem kontrollojeni se vërtetë mund të jetë ose jo e Presidentit",- u shpreh Balla gjatë fjalës së tij.
Berisha
Kjo e ka nxehur jo pak kryeministrin Sali Berisha, i cili në reagimin e tij nuk ka nguruar ta etiketoje deputetin Balla si "rrugaç". Gjithashtu, Berisha ka paralajmëruar Ballën se në rast se do të vazhdojë të bëjë deklarata të pabazuara në fakte, do t'ia mbyllte gojën me mjete të tjera. "Tauland, ti je djalë i ri dhe lakon emra familjarësh dhe kryefamiljarësh, por ta dish mirë se ta bëj fytyrën si këpuca po të të lakoj unë ty emrat e familjarëve të tu. Dije mirë se unë kam një durim, por i bindur të jesh ti, që mund të ta mbyll gojën ty në mënyrën më ekzemplare",- u shpreh kryeministri Berisha. Në debat janë përfshirë dhe ministri i Financave, Ridvan Bode dhe nënkryetari i grupit socialist, Erion Braçe. E ndërsa Bode ka mohuar që të ketë lidhje me ndonjë prej lojërave të fatit apo kazinove që ekzistojnë në Shqipëri, numri dy i grupit socialist, Erion Braçe, ka akuzuar kryeministrin Berisha për arrogancë dhe përdorim të një fjalori rruge. "Z.Kryeministër, sjellja juaj në reagim të deputetit të PS-së nuk është e denjë për një kryeministër. Nuk gjen sot një Kryeministër në botë, që t'i thotë deputetit ta mbyll gojën në mënyrë ekzemplare. Është një shprehje që mund ta përdorin të fortët rrugëve të Shqipërisë. Kryeministri ka të drejtën e tij që të ketë reagimin e tij, por ai nuk mund të fyejë deputetin në fjalë dhe, e dyta, e kërcënon, madje e kërcënon edhe me jetë",- u shpreh Braçe. Ndërkohë që ministri Bodem në lidhje me debatin për kazinotë ka shpjeguar se industria e lojërave të fatit është nën kontroll dhe se asnjë kazino në vend nuk i është shmangur detyrimeve tatimore.
Debati
Balla:
"Ajo që ka ndodhur gjatë qeverisjes tuaj z.Kryeministër është se nuk është më njëm por janë nja 50 a 60 kazino që funksionojnë në mënyrë të paligjshme. Sikur të punonte në mënyrë të rregullt ministria e z.Bode sigurisht do të ishin të shumta paratë që do të mblidheshin nga këto kazino. Z.Kryeministër po të shkoni në Bllok, mund t'ju thotë dikush se kjo kazino është e Shkëlzenit. Sigurisht, me thënë të drejtën e pranoj dhe e mirëkuptoj se kjo mund të jetë një fjalë blloku, siç mund të quhet dhe unë e mirëkuptoj që nuk mund të jetë e djalit e tuaj. Por, të lutem, shpjegoji shqiptarëve se ajo kazino në qendër të Bllokut nuk mbrohet nga djali juaj. Një kazino tjetër thonë se është e Ritvan Bodes. Sigurisht, z.Kryeministër ndoshta nuk është kazinoja juaj, por nuk kontrollohet asnjëherë nga institucionet tatimore dhe si e tillë, ju lutem, tregojuni shqiptarëve që ajo kazino nuk është kazinoja juaj. Një njësi tjetër, përsëri për lojëra fati, por që është e lidhur me Presidentin. Unë e mirëkuptoj që ajo nuk është e lidhur me Presidentin, por të lutem kontrollojeni se vërtetë mund të jetë ose jo e presidentit".
Berisha:
"Tauland, ti je djalë i ri dhe lakon emra familjarësh dhe kryefamiljarësh, por ta dish mirë se ta bëj fytyrën si këpuca po të të lakoj unë ty emrat e familjarëve të tu. Dije mirë se unë kam një durim, por i bindur të jesh ti që mund të ta mbyll gojën ty në mënyrën më ekzemplare. Ka një Kushtetutë ky vend dhe Parlament me shpifje nuk sheh ti. Nuk të thotë kush ty se në "x" bordello kanë pjesë njerëzit e t'u, nuk ta thotë njeri ty këtë. Do të dalësh nga Parlamenti sa herë që të shpifësh dhe do të shkosh në Gjykatë sa herë që të shpifësh! Ti je njeri pa edukatë, ti tregon se ke edukatë kanalesh. Për shpifje dhe fyerja ka kushtetuta dhe ligje dhe s'të konsideroj gazetar. Unë ty të konsideroj ndryshe. Rrugaç!".
Bode:
"Ato që ju deklaruat nuk janë të vërteta dhe nuk njeri tjetër veç teje jo vetëm në parlament, por në gjithë Shqipërinë, se Ridvan Bode ka kazino dhe se Shrefedin Shehu luan kazino. Këto janë shpifjet e tua që i bëni këtu dhe nuk janë të mira. Megjithatë, kjo është puna juaj. Në llojin e deputetit je i veçantë, në gjithë historinë e këtij Parlamenti. Përsa i përket problemit që ngritët, dua të them se rezultatet e vitit 2007 janë këto: janë 840 milionë lekë të mbledhura nga lojërat e fatit. Xhiroja e lojërave të fatit vitin e kaluar ka 5.9 miliardë lekë të reja dhe këtu nuk përfshihet kazinoja, sepse ka tjetër sistem taksimi, pasi taksohet me tavolina. Unë nuk them se kjo industri nuk ka probleme, por ne i kemi nën kontroll. Nëse një subjekt i licencuar si lojë fati merr një aparat apo element që nuk i takon kategorisë lojërave të fatit, por kazinosë, atëherë ajo sekuestrohet".
Braçe:
"Z. Kryeministër, sjellja juaj në reagim të deputetit të PS-së nuk është e denjë për një kryeministër. Nuk gjen sot një Kryeministër në botë përveç atyre të republikave, për fat të keq me të cilat ne renditemi, andej nga Amerika Latine apo nga Afrika, që kryeministri t'i thotë deputetit që ta mbyll gojën në mënyrë ekzemplare. Është një shprehje që mund ta përdorin të fortët e rrugëve të Shqipërisë. Kryeministri ka të drejtën e tij që të ketë reagimin e tij, por ai nuk mund të fyejë deputetin në fjalë dhe, e dyta, e kërcënon, madje e kërcënon edhe me jetë. Ai nuk ju akuzoi drejtpërdrejtë dhe ruajti etikën dhe ju nuk keni të drejtë që të fyeni dhe kërcënoni deputetët në sallë".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›