E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ruli: Fshati Val, tenderi për rrjetin në Shkurt

"Kanë filluar procedurat dhe më 4 shkurt bëhet tenderi për të filluar ai ndërtim". 
TIRANË- Fshati Val në zonën e Martaneshit në rrethin e Matit, i cili prej më shumë se një viti vuan mungesën totale të energjisë elektrike është kthyer në çështje debati midis shumicës dhe opozitës në Kuvend. Sekretari socialist për çështjet organizative, Blendi Klosi duke iu referuar rastit konkret ka ironizuar qeverinë duke e konsideruar si absurditet faktin që nga njëra anë një fshat i tërë nuk ka energji që nga viti 2006 dhe nga ana tjetër Shqipëria pretendon që të marrë ftesën për në NATO. Këto dy çështje sipas tij kundërshtojnë njëra -tjetrën, prandaj dhe ka kërkuar ndërhyrjen e menjëhershme të qeverisë dhe ministrisë së Energjitikës për ti dhënë fund kësaj historie. "Në Parlament janë dy legjenda të qeverisë, legjenda e anëtarësimit në NATO dhe BE, legjendë që s'mund të anëtarësohemi dhe legjenda e varfërisë, që ka zhytur popullin shqiptar dhe fshatin në përgjithësi. Banorët e fshatit Val të komunës së Martaneshit, të cilët jetojnë në kushte të vështira, kanë dy vjet që i mungon energjia elektrike. Ky komunitet kërkon nga ju, Z.Kryeministër energji elektrike", - tha Klosi. Ndërkohë që ndaj këtij problemi ka reaguar Ministri i Ekonomisë dhe Energjitikës, Genc Ruli i cili duke hedhur poshtë pretendimet e opozitës ka deklaruar se për këtë çështje është hapur tenderi dhe në fillim të shkurtit do të nisë shtrirja e rrjetit dhe rikthimi i energjisë për banorët e asaj zone, numri i të cilëve sipas tij nuk është ai që pretendon opozita. Ruli ka bërë të ditur se në këtë fshat jetojnë vetëm 7 familje të cilat janë dhe abonentë të KESH-it. "Kanë filluar procedurat dhe më 4 shkurt bëhet tenderi për të filluar ai ndërtim. Atje janë shtatë familje që jetojnë dhe që janë abonentë, të tjetër që kanë ikur me kohë shkojnë aty për pushime verore. KESH-i sheh dhe një prioritet që tu japë më parë ndihmë zonave me popullsi të madhe dhe pastaj atyre me më pak popullsi", - tha Ruli.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›