E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi: Nuk pendohem për heshtjen mbi dosjet

Presidenti i Republikës, Bamir Topi deklaroi se nuk ka asnjë lloj pengu për heshtjen ne lidhje me ligjin e dosjeve dhe se vendimi i marrë për ta kaluar në heshtje ka qenë një e drejtë kushtetuese. Gjatë konferencës për shtyp, me Presidentin e Sllovenisë Danilo Turk, z. Topi iu përgjigj interesimit të medias, "nëse ishte penduar që kishte heshtur për ligjin e lustracionit". "Nuk diskutohet për vullnete individuale, janë pozicione institucionale dhe vendimet e maturuara nuk japin shanse për pendesë. Ka qenë një vendim, i qartë,i ekspozuar me të drejtën kushtetuese që ka Presidenti i Republikës. Unë konstatoj se të gjithë institucionet e faktorit politik kanë mbajtur pozicionin e qartë duke respektuar themelet e shtetit ligjor dhe Kushtetutën", u shpreh Presidenti. Ndër të tjera, presidenti Topi ka bërë të ditur se gjatë takimit me homologun slloven është biseduar për situatën politike në vend, për reformën në drejtësi dhe për situatën parazgjedhore të vendit. Ndër të tjera ,Topi ka theksuar se ligji për zgjedhjet, dhe pajisja e qytetarëve me kartat e identitetit do të bëjë që këto zgjedhje të jenë të lira,  të ndershme dhe demokratike. Jemi krenare që Shqipëria është pjesë e NATO, anëtarësimi i së cilës do të konstatohet në samitin e ardhshëm. E informova presidentin për reformat dhe për sfidat që kemi përpara, që janë zgjedhjet politike. Në këtë drejtim u miratua në kohë ligji për zgjedhjet dhe po punohet për infrastrukturën zgjedhore. Zhvillimi i zgjedhjeve sipas standardeve, do të nxirrnin Shqipërinë nga tranzicioni. Zgjedhjet duhet të jenë të lira dhe demokratike, deklaroi Topi para mediave. Ndërsa nga ana e tij, presidenti slloven, Danilo Turk e ka cilësuar vizitën e tij si një përpjekje ambicioze për të ngritur marrëdhëniet dypalëshe në nivele më të larta. Turk ka theksuar se Sllovenia ka qenë dhe do të vazhdojë të jetë mbështetëse e Shqipërisë në rrugën e integrimit në NATO dhe Bashkimin Evropian dhe në aspiratën për lëvizjen e lirë të qytetarëve. Kohët e fundit, parlamenti slloven ratifikoi anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe ne e mirëpresim atë që të bëhet anëtare e Aleancës. Sllovenia mbështet aspiratën e natyrshme të Shqipërisë për liberalizimin e vizave me BE, ne besojmë se kjo është një shprehje natyrale e dëshmisë së qytetarëve për të lëvizur të lirë, ka deklaruar Presidenti Slloven gjatë fjalës së tij.

Email This Klikime: 1

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›