Kartat, PS: Vetëm 100 mijë aplikime, të falen
Aristir Lumezi
Procesi i pajisjes me karta identiteti po ecën shumë ngadalë. Kërkohet dhënia falas e kartave për shtetasit pa pasaportë për jashtë shtetit. Në këtë përfundim arrin Partia Socialiste pas marrjes së një informacioni nga Drejtoria e Gjendjes Civile. Sekretari Organizativ socialist, Blendi Klosi, anëtar i Komisionit Parlamentar ad hoc për kartat e identitetit, tha dje se numri i shtetasve pa pasaportë që kanë aplikuar deri tani është 1/8 e numrit të përgjithshëm të tyre. “Ashtu siç jepet edhe informacioni zyrtar nga qeveria, janë më pak se 100.000 votues pa pasaportë, të cilët kanë aplikuar, ndërkohë që numri total është 800.000 të tillë në tërësi. Pra, 1/8 e tyre kanë aplikuar, ndërkohë që mbetet edhe një muaj e gjysmë nga data e fundit kur mund të aplikohet”, tha Klosi. Komisioni parlamentar “ad hoc” ishte dje në Drejtorinë e Përgjithshme të Gjendjes Civile, ku ka depozituar kërkesat që deputetët kanë për të marrë informacion nga kjo zyrë, në lidhje me ecurinë e procesit të pajisjes me karta identiteti por dhe me listat zgjedhore. “Ishte një mbledhje e Komisionit “Ad Hoc” të Parlamentit Shqiptar, për procesin e kartave të identitetit dhe pa dyshim përsëri u vërejt me shumë shqetësim ecuria shumë e ngadaltë në të gjithë vendin, e pajisjes së shtetasve shqiptar me këtë dokument shumë të rëndësishëm”, tha Sekretari Organizativ i PS-së pas takimit në Drejtorinë e Përgjithshme. Sipas tij, një problem thelbësor në këtë proces mbetet mosnisja e aplikimeve për karta identiteti në shumë njësi vendore në të gjithë vendin. Klosi tha se procesi ka shkelje të rënda, duke filluar nga mos respektimi i kontratës koncesionare, gjë që ka sjellë mos shtrirjen e procesit në gjithë territorin dhe si pasojë ka një numër shumë të ulët të pajisjes me karta të shtetasve. Duke risjellë propozimin që socialistët kanë bërë për kartat e identitetit, sekretari i selisë rozë tha se ritmi i ngadaltë për pajisjen e shtetasve pa pasaportë vjen dhe nga gjendja e tyre ekonomike. “Për daljen nga kjo situatë, duhet një angazhim shumë i madh i qeverisë dhe më tepër se kaq, ne i mbetemi shumë fortë propozimit tonë, që arsyeja ekonomike është një nga arsyet e mospajisjes së shtetasve shqiptar me karta identiteti. Ndaj kërkojmë nga qeveria që të krijojë mundësi për dhënien falas të këtyre kartave të identitetit”, tha Klosi. Socialistët e konsiderojnë nisjen e aplikimit për pasaporta biometrike, si një proces që krijon konfuzion në stacionet ku aplikohet për kartë identiteti dhe kërkoi që kjo të ndërpritet.
KQZ: PS të depozitojë emrat e KZAZ
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i ka bërë dhe një herë thirrje Partisë Socialiste, që të dorëzojë sa më shpejt propozimet e saj për anëtarët e Komisioneve Zonale të Administrimit të Zgjedhjeve. Zëdhënësi i KQZ-së, Leonard Olli deklaroi për “Panorama” se “mosdorëzimi i tyre po bllokon punën në KQZ dhe pa konstituimin e tyre nuk mund të nisë përgatitja e procesit zgjedhor”. Zëdhënësi ribëri një herë apel se këto vonesa të tilla do të shkaktojnë probleme si në trajnimin e tyre, si dhe në asimilimin e plotë dhe të thellë të kuadrit ligjor. “Nëse nuk do kemi reagim të menjëhershëm do kemi një shkelje të afateve ligjore, por në të njëjtë kohë shfaqje të gangrenës së vjetër të zbatimit të Kodit nga partitë politike”, tha Olli. Ndërsa sot KQZ-ja në mbledhjen e saj ka parashikuar ngritjen e KZAZ-ve, sipas propozimeve të partive politike. Disa më parë, PR dhe PS ishin partitë që nuk kishin paraqitur emrat anëtarëve. Pas apelit të kreut të KQZ, Ristanit, PR depozitoi menjëherë emrat e anëtarëve për 66 KZAZ-të. Afati i fundit i ngritjes së KZAZ është 27 marsi.
Rama: Të ndryshojmë politikën për qeverisjen
Kreu socialist me Vullnetarët e Bashkimit për Ndryshim ishte dje në Rrëshen. Gjatë fjalës së tij, kreu socialist është ndalur tek nevoja për ndryshimin e politikës në Shqipëri. “Duhet të ndryshojmë politikën për të ndryshuar qeverisjen dhe duke ndryshuar qeverisjen ne do të ndryshojmë Shqipërinë për ta bërë atë si gjithë Evropa”, tha Rama. Sipas tij, politika nuk është një skenë ku një grusht burrash shajnë dhe kacafyten përditë dhe ku fiton ai që bërtet më shumë. Politika është krejt e kundërt dhe në rast që Shqipëria është kjo që kemi sot, kaq e varfër, kaq e pa punë, kaq e pa shpresë, kaq e prapambetur, ndërkohë që ne nuk kemi asgjë më pak se të tjerët, kjo në radhë të parë lidhet me politikën. Sipas Ramës, të merresh me politikë jo për t’u bërë politikan por për t’i dhënë politikës përmasën e shpresave, dëshirave dhe ambicieve tuaja, do të thotë të nisesh nga e vërteta e thjeshtë, se politika është për t’i dhënë mundësi njerëzve që të gjithë sëbashku të zgjidhin probleme që i vetëm nuk i zgjidh dot kurrë.
Kreu i qeverisë, kokë më kokë me ambasadorin e SHBA
Zgjedhjet, Berisha garanton Uidhers: Do jenë me standarde
Kryeministri Berisha garantoi dje ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, se zgjedhjet e 28 qershorit do të jenë sipas standardeve të kërkuara nga ndërkombëtarët. Kreu i ekzekutivit ka pritur në zyrën e tij, kreun e diplomacisë amerikane me të cilin ka diskutuar edhe për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO pas pak ditësh. Sipas njoftimi për shtyp të zyrës së Këshillit të Ministrave, Berisha është shprehur gjatë këtij takimi se qeveria po bën çdo përpjekje për realizimin e infrastrukturës zgjedhore. “Në takim u diskutuan gjithashtu mbi procesin e zgjedhjeve të përgjithshme, që do të zhvillohen më 28 qershor. Kryeministri e siguroi Ambasadorin Amerikan se qeveria shqiptare është tërësisht e angazhuar dhe po bën çdo përpjekje për të garantuar suksesin e tyre, si zgjedhjet më të mira të realizuara ndonjëherë në Shqipëri, të lira e transparente, konform të gjitha standardeve ndërkombëtare”, thuhet në njoftimin për shtyp. Një tjetër çështje e këtij takimi ishte dhe anëtarësimi i Shqipërisë në NATO. “Duke e cilësuar anëtarësimin e Shqipërisë në NATO si ngjarja më e madhe në politikën e jashtme dhe të sigurisë së Shqipërisë pas pavarësisë së saj, Kryeministri Berisha i shprehu ambasadorit Withers mirënjohjen më të thellë, për përkrahjen dhe ndihmën, që Shtetet e Bashkuara të Amerikës, qeveria amerikane, në veçanti Presidenti Bush dhe tashmë Presidenti Obama dhe administrata e tij, i dhanë Shqipërisë për realizimin e këtij projekti madhor kombëtar për të gjithë shqiptaret”, vijon më tej njoftimi për shtyp.
Depozitimi i firmave, jo në zyrat rajonale
Në diskutimin e djeshëm një tjetër çështje, që ka pasur përplasje ka qenë mënyra e depozitimit të firmave të partive jo parlamentare dhe të kandidatëve të pavarur. Në udhëzimin paraprak ishte parashikuar që firmat mund të noterizohen ose mund të firmosen nga drejtuesit e zyrave rajonale të KQZ-së. Opsioni i dytë është kontestuar nga ana e nënkryetares së KQZ-së, Subashi, e cila ka kërkuar që nënshkrimi i mbështetësve të partive jo parlamentare apo të kandidatëve të bëhet në KQZ, jo nga punonjësit e përkohshëm të zyrave rajonale. Kreu i KQZ-së, Ristani fillimisht e ka kontestuar një qëndrim të tillë, me arsyen se “përderisa i besohet noterit, nuk ka pse të mos i besohet punonjësit të zyrave rajonale”. Më pas është caktuar se firmat mund të hidhen në prani të punonjësve të caktuar nga KQZ-ja.