Listat, eliminohen kandidatët e pavarur
BLEDAR HOTI
Partitë politike “eliminojnë” kandidimin e të pavarurve në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. Frika se nga mos përfshirja në listën shumemërore të partive të mëdha të deputetëve aktualë, mund të pasohet me kandidimin e tyre si të pavarur, ka detyruar PS-PD që të caktojnë një klauzolë jo shumë favorizuese. Në udhëzimin e miratuar dje nga KQZ-ja me votat pro të shtatë anëtarëve, i hartuar mbi bazën e nenit të Kodit Zgjedhor, kandidatëve të pavarur i duhet që të paraqesin në firmat mbështetësve të 1 për qind të zgjedhësve të zonës ku do të kandidojë. Në udhëzimin e miratuar është përcaktuar se kandidatët e pavarur duhet të kenë firmat e 1 për qind të zgjedhësve, ku nga përllogaritje mund të bjerë, që në Qarkun e Tiranës duhet të paraqiten 7 mijë firma, ose në Qarkun e Durrës 2-3 mijë firma. Ky proces pasohet me procedurën tjetër të krijimit të një komiteti të kandidatit të pavarur, i cili duhet të depozitohet 60 ditë përpara datës së zgjedhjeve. Ndërsa e kundërta ndodh për parti jo parlamentare, ku KQZ-ja ka vendosur të lehtësojë procedurat në krahasim me kandidatët e pavarur. Për të hyrë në garën e 28 qershorit, mjafton që lista shumemërore prej 140 deputetëve të jetë e firmosur vetëm nga 10 mijë zgjedhës.
Debati për 10 mijë firmat
Çështja e depozitimit të 10 mijë firmave nga partitë jo parlamentare u bë objekt i debatit ndërmjet anëtarëve të KQZ-së. Në nenin 5, pika (b) është përcaktuar se “Lista e zgjedhësve që mbështesin listën shumemërore të partisë me emrat e 10 000 zgjedhësve”. Përfaqësuesi i PD-së në KQZ, Njazi Kosovrasti tha se: “Problemi i kandidimit të partive politike që nuk arrijnë të kenë deputetë në Kuvend janë dy detyrime, e para duhet të kenë kandidatë në 12 qarqe dhe e dyta është që shuma totale të gjithë firmëtarëve duhet të jetë të paktën 10 mijë firma”. “Kjo nuk është thënë në pikën b, sepse përcaktohet se lista e zgjedhësve që mbështesin listën e zgjedhësve, duhet të jepet në listat shumemërore. Nëse do i hyjmë këtij diskutimi, duhet të përcaktojmë, duhet të saktësojmë listat shumemërore për 12 qarqet. Për mua po thamë listat, e mbyllim, duhet të thënë në listat e jo më pak se 10 mijë zgjedhësve”. Ndërsa në lidhje me këtë çështje ka ndërhyrë anëtari i KQZ-së, Klement Zguri, duke deklaruar se: “Do ta pranoj faktin se duhen 10 mijë firma në shkallë republike, por për të vetmen arsye për të pasur një sens pozitiv për partitë politike që nuk kanë mandatet dhe do ta kenë të pamundur mbledhjen e këtyre firmave”. “Shqipëria nuk është një zonë zgjedhore, por është e ndarë në 12 zona zgjedhore, sipas qarqeve. Ligjvënësi nuk e ka bërë të qartë, jo të plotë. Neni 68 na e vë në diskutim, por nuk e sqaron situatën. Duhet të kem një sens pozitive për të mos ua ndërlikuar situatën. Për t’ua bërë më të lehtë partive politike, të pazonjat në rastin e parë për të pasur mandate për shkak të votimit në Parlament, si dhe ndoshta me probleme për të marrë brenda një qarku 10 mijë firma. Kjo është e vetmja arsye, që unë do ta votoj që partitë politike të kenë 10 mijë firma në shkallë republike jo në rang qarku”, deklaroi Zguri. Ndërsa Kosovrasti ka replikuar se: “Ky është problem i rëndësishëm ligjor dhe se nuk bëhet për dëshirat e ndonjë personi. Zgjidheni ju këtë në tavolinën tuaj, nëse ka dyshime, për mua është e zgjidhur 10 mijë zgjedhës në të gjithë Shqipërinë”. Pas këtyre debateve, KQZ-ja pranoi, që partitë jo parlamentare të kenë 10 mijë firma në total për listat shumemërore të 140 deputetëve të Kuvendit.
rregullat per partite
Listat shumemërore të partive politike, të cilat nuk zotërojnë asnjë mandat në Kuvend duhet të shoqërohen në çdo rast me dokumentacionin si më poshtë:
a. Deklaratën për çdo kandidat të listës, ku të deklarohen të gjitha elementet e përcaktuara në nenin 72, pika b dhe c të Kodit Zgjedhor (Model 03 K),
b. Duhet të paraqesin listat shumemërore të partisë me emrat e jo më pak të 10 mijë zgjedhësve.
c. Deklaratat individuale të zgjedhësve për depozitimin e nënshkrimit përpara KQZ ose (Model 06 K)
d. Deklaratat individuale të zgjedhësve për depozitimin e nënshkrimit përpara noterit
Listat shumemërore të partive politike pjesëtare të një koalicioni, të cilat nuk zotërojnë asnjë mandat në Kuvend duhet të shoqërohen në çdo rast me dokumentacionin:
a. Deklaratën për çdo kandidat të listës, ku të deklarohen të gjitha elementet e përcaktuara në nenin 72, pika b dhe c të Kodit Zgjedhor (Model 03 K),
b. Lista e zgjedhësve që mbështesin listën shumemërore të partive të koalicionit me emrat e 15 000 zgjedhësve (Model 04 K)
c. Deklaratat individuale të zgjedhësve për depozitimin e nënshkrimit përpara KQZ ose (Model 06 K)
d. Deklaratat individuale të zgjedhësve për depozitimin e nënshkrimit përpara noterit.
Kontabilistët
Auditimi, partitë bojkotojnë
Pas miratimit të udhëzimit të parë për udhëzimin e rregullave të depozitimit të listave shumemërore, përfaqësuesit e partive politike në KQZ, morën “arratinë” gjatë diskutimit, për mënyrën e përzgjedhjes së kontabilistëve, duke mos i kushtuar vëmendje procedurës, që do të realizojë mënyrën e përdorimit të fondeve publike dhe jo publike të partive politike në fushatën zgjedhore. KQZ-ja e miratoi me konsensus këtë udhëzim, duke bërë që për herë të parë të ketë një grup kontabilistësh prej 20 vetash që do të “hetojnë” mbi mënyrën e përdorimit të fondeve publike e jo publike të subjekteve politike në fushata elektorale.
Zgjedhjet, Dade: Berisha të dëgjojë ndërkombëtarët
Partia socialiste i kërkon maxhorancës dhe kryeministrit të saj të dëgjojë mirë mesazhet që vijnë nga ndërkombëtarët. Sekretarja për marrëdhëniet me Jashtë në PS, Arta Dade tha dje se “qeveria po injoron thirrjet e ndërkombëtarëve që para aplikimit për statusin e vendit kandidat në BE të kryejë reforma të forta dhe të kalojë provën e zgjedhjeve parlamentare të qershorit”. Sipas saj, “Sali Berisha gjithnjë ka refuzuar të dëgjojë këshillat e Brukselit. Atij i mbetet shumë pak kohë tani që ta bëjë këtë gjë, dhe aq më pak të përkthejë shqetësimet dhe sinjalet që vijnë BE në vepra konkrete”. Sipas PS, këto këshilla të ndërkombëtarëve duhet të ftohin pasionet e kryeministrit. “Paralajmërimi se këto detyra duhen marrë seriozisht në mënyrë që aplikimi të mos qëllojë mbrapsht, por të shtrojë rrugën për marrjen e statusit, duhet të ftohë pasionet dhe demagogjinë elektorale të Sali Berishës”, u shpreh Dade.