E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Batuta e Berluskonit u keqkuptua

Sqarimi

Shakaja e Kryeministrit italian, Silvo Berluskoni, për vajzat shqiptare u keqkuptua në mënyrë të padrejtë. Kështu e komentoi Kryeministri Berisha shprehjen e homologut të tij italian se “nga Shqipëria pranojmë vetëm vajzat e bukura”, përgjatë konferencës së përbashkët për shtyp në Romë pak ditë më parë. “Gjatë konferencës së shtypit, tek po informoja për moratoriumin e skafeve, përballë nesh ishin tre gazetare shqiptare, të themi të vërtetën ishin të pashme, të cilave Kryeministri Berluskoni u bëri një kompliment që padrejtësisht ka ngjallur një keqkuptim”, sqaroi Berisha në lidhje me batutën e Berluskonit, e cila u komentua gjatë nga mediat italiane dhe disa intelektualë shqiptarë në Itali. Sipas Berishës, ishte vetë ai, i cili i kishte ftuar tre gazetaret të bënin një foto të përbashkët me Kryeministrin italian dhe nuk kishte asgjë të keqe që gazetaret shqiptare spikasnin me hiret dhe sharmin e tyre. Nga ana tjetër, në mbledhjen e grupit parlamentar, Berisha foli gjatë për vizitën e tij në Itali, duke e cilësuar këtë vizitë si historike edhe për shkak të takimit që kishte zhvilluar me Kryeministrin italian, Silvio Berluskoni.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›