SHISH, Kuvendi e shqyrton më 25 janar
Parlamenti nuk e ka pezulluar, por vetëm sa e ka shtyrë procedurën për të miratuar projektligjin për Shërbimin Informativ Kombëtar, i cili shkaktoi polemika jo vetëm nga politika dhe shoqëria civile, por edhe nga ndërkombëtarët. Burime në Kuvend bëjnë të ditur se javën e ardhshme, më 25 shkurt, ka gjasa të shqyrtohet në seancë drafti i ardhur nga qeveria, i cili pritet të përmirësohet edhe me disa amendamente nga SHISH-i që do të sillen persmes vendimit të Këshillit të Ministrave. Por si fillim në Komisionin Parlamentar të Ligjeve pritet që të jetë prezent në një seancë dëgjimore drejtori i Shërbimit Informativ Shtetëror aktual. Amendamentet e sjella nga SHISH-i mbahen “sekret” në ambientet e Kuvendit dhe nuk janë vënë në dispozicion të mediave. Por mësohet se një pjesë e tyre është inkorporuar edhe në projektligj, ndërkohë që në këtë draft i vendoset mandat nëndrejtorit të shërbimit sekret shqiptar. Në projektligjin e përgatitur nga qeveria vendoset që drejtori i SHISH-it do të ketë mandat pesëvjeçar vetëm me një të drejtë riemërimi dhe zgjerohet gama e objektit. Disa ditë më parë, zyrtarë të Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë dolën kundër qeverisë për sa u përket ndryshimeve në ligjin për Shërbimin Informativ Shtetëror. Në një prononcim për "Top Channel", ambasadori i delegacionit të Komisionit Europian në Tiranë, Helmut Lohan, theksoi se gjatë përgatitjes së opinionit për kërkesën e Shqipërisë për anëtarësimin në Bashkimin Europian, Brukseli zyrtar do të shohë me kujdes edhe çështjet e kompetencave të institucioneve të pavarura. "Në procesin e përgatitjes së opinionit për kërkesën e Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Europian dhe vlerësimit të kritereve politike, Komisioni Europian merr në analizë edhe çështje të tilla, si për shembull kompetencat e Shërbimit Informativ, në një shoqëri demokratike, llogaridhënien dhe kontrollin e tij", theksoi Lohan. Nga ana tjetër edhe Uashingtoni i kërkon qeverisë që të bëjë kujdes në miratimin e ndryshimeve në ligjin për SHISH-in.
#