E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi: Serbia të njohë Kosovën nëse do të hyjë në BE

Qëndrimi

Kreu i shtetit, Bamir Topi, flet për rrugën e re në të cilën po ecin marrëdhëniet diplomatike midis Shqipërisë dhe Serbisë. “Natyrisht çdo politikan, çdo shtet duhet të bëjë detyrat e veta, që t’i kontribuojë paqes dhe dialogut rajonal. Ne inkurajojmë dialogun dhe natyrisht jemi kritikë aty ku ky dialog cenohet nga deklarata ultranacionaliste dhe kjo është dëshmuar edhe në tryezat e zhvilluara kohë më parë, ku është parë edhe një tendencë e shprehur e politikës serbe për t’u kthyer në retorikat ultranacionaliste”, u shpreh Topi në një intervistë për “Kosovapress”. Në disa raste, vijoi ai, janë kundërshtuar nga një politikë e moderuar e liderëve të tjerë të rajonit, pra, rajoni ynë sot duhet të imponojë që mentalitete të vjetra të lidhura me retorika të betejave, që u kanë shkaktuar shumë drama popujve të Ballkanit, patjetër të dalin jashtë mode dhe të gjithë së bashku t’i afrohen një politike të bashkëpunimit në interes të vendeve dhe popujve tanë. “Ne inkurajojmë një frymë bashkëpunimi me të gjitha vendet, por, nga ana tjetër, japim edhe qëndrimin tonë të qartë. Askush nuk mund të bëjë politikë me ambiguitet, pra me dy linja. Në rast se ne inkurajojmë që edhe Serbia të bëhet pjesë e botës europiane, ajo duhet të pranojë edhe vendimet që ka marrë bashkësia europiane, të njohë Kosovën si shtet të lirë, sovran, të pavarur”, u shpreh Topi. Sipas tij, nuk mund të ketë politika të dyfishta, ku nga njëra anë kërkon të anëtarësohesh në BE, nga ana tjetër kundërshton politikat e komunitetit europian, që kanë të bëjnë me Kosovën.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›