E Diel, 1 Nëntor 2026

Një institucion kushtetues futet në krizë

Mbaron mandati i dytë i Avokatit të Popullit. Duhen 84 vota në Kuvend

Nga dita e nesërme, Republika e Shqipërisë është në vakum të një institucioni të rëndësishëm kushtetues. Bëhet fjalë për Avokatin e Popullit, titullarit të së cilit Ermir Dobjanit, i mbaron ditën e mërkurë, më 17 shkurt mandati i dytë si përfaqësues i qytetarëve shqiptarë. Përveç krizës politike që ka mbërthyer vendin, në një gjendje impasi janë edhe disa institucione të rëndësishme kushtetuese, anëtarëve të së cilëve iu mbaron mandati, por Parlamenti nuk ka kuorumin e duhur për t’i zgjedhur. Avokati i Popullit është kryesori që kërkon 84 vota. Kjo çështje e rëndësishme institucionale është diskutuar edhe gjatë takimit të djeshëm të Presidentit të Republikës, Bamir Topi, dhe Avokatit të Popullit, Ermir Dobjani. Në komunikatën për shtyp të Presidencës, theksohet se “duke shprehur edhe vlerësimet e institucioneve homologe ndërkombëtare, Presidenti Topi theksoi se e konsideroj një vlerë të madhe krijimin e institucionit të Avokatit të Popullit dhe përparimin e tij hap pas hapi. Puna e dobishme e këtij institucioni të pavarur duhet të shërbejë si model dhe si nxitje që ju dhe pasardhësit tuaj të vazhdoni misionin e nisur”.

Ndërkaq, Avokati i Popullit, Ermir Dobjani, pasi e falënderoi kreun e shtetit shqiptar për takimin dhe pritjen, i dorëzoi edhe një kopje të raportit vjetor, që më parë ishte depozituar edhe në Parlament. Gjithashtu, Dobjani duke siguruar se institucioni i drejtuar nga ai do të vazhdojë punën me të njëjtin përkushtim, shprehu mirënjohjen për bashkëpunimin e frytshëm që ka pasur institucioni i Presidentit të Republikës me atë të Avokatit të Popullit, duke nënvizuar faktin se “ndihmesën dhe mbështetjen e Presidentit, edhe atë të paraardhësve, e ka ndier nga afër, veçanërisht atë të Presidentit Topi”.

Gjykatat

Ndërkaq, ditën e djeshme ka përfunduar edhe afati i vënë nga Presidenti i Republikës për aplikantët që do të konkurrojnë për 6 vende vakante në Gjykatën Kushtetuese dhe dy vende në Gjykatën e Lartë. Më datën 25 janar, kreu i shtetit ka shpallur nisjen e procedurave për të përzgjedhur kandidatët për t’u caktuar në vendet vakante në dy nga institucionet kryesore të shtetit: Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë. Në bazë të përcaktimeve kushtetuese dhe ligjore, gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese emërohen nga radhët e juristëve me kualifikim të lartë dhe me përvojë pune jo më pak se 15 vjet në profesion, ndërsa gjyqtarët e Gjykatës së Lartë emërohen nga radhët e gjyqtarëve me vjetërsi pune jo më pak se 10 vjet ose nga radhët e juristëve të shquar, që e kanë ushtruar këtë profesion për jo më pak se 15 vjet”. Gjyqtarët e Kushtetueses dhe të Gjykatës së Lartë emërohen nga Presidenti me pëlqimin e Kuvendit. Procesi i dhënies së pëlqimit bëhet me 71 vota, por gjithsesi duke u nisur nga rëndësia e këtyre institucioneve, nuk është e thjeshtë ngritja e kartonëve nga mazhoranca. Ndërkaq, sipas Kushtetutës së Republikës, zgjedhja e Avokatit të Popullit bëhet me votat e 3/5-at e deputetëve, kështu që është e domosdoshme dhënia e konsensusit nga opozita. Një tjetër institucion i rëndësishëm që duhet ripërtërirë është Këshilli i Lartë i Drejtësisë, i cili duhet të zgjedhë katër anëtarët e rinj që u mbaron mandati, të cilët duhet të zgjidhen nga Konferenca Kombëtare Gjyqësore. Por ky proces ka ngecur, sepse nuk është miratuar ligji në Kuvend, i cili duke qenë ligj i konsideruar pjesë e reformës në drejtësi, nevojitet të votojnë pro 84 deputetë, pra opozita.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›