Kosovë, ministri Imami premton ndihmë për FSK
Presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, gjatë një takimi me ministrin e Mbrojtjes së Shqipërisë, Arben Imami, ka shprehur dje edhe një herë falënderimin e institucioneve dhe të popullit të Kosovës për ndihmën e pakursyeshme që Republika e Shqipërisë i ka dhënë vendit tonë në të gjitha fushat. Po kështu, Presidenti e ka quajtur si shumë të rëndësishme përkrahjen e Shqipërisë për Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK), si një forcë që po ndërtohet sipas parimeve më moderne, e gatshme për të kryer të gjitha detyrat. Në këtë kontekst, Sejdiu ka përsëritur edhe një herë qëndrimin që FSK-ja të marrë pjesë në operacionet e ndryshme jashtë vendit, duke përmendur me këtë rast angazhimin e pjesëtarëve të kësaj force në ndihmë të rajoneve të përmbytura në Shqipërinë e Veriut muajin e kaluar. Nga ana e tij, ministri Imami ka shprehur edhe një herë falënderimin e institucioneve dhe të popullit të Shqipërisë për ndihmën e ofruar me rastin e përmbytjeve nga uji në rajonin e Shkodrës.
#