Fondi i pronave, ndryshohen katër nene të draftit
Komisioni Parlamentar i Ligjeve ka ndryshuar dje katër nene të ligjit mbi fondin e kompensimit të pronave pas kërkesës së Ministrisë së Financave, Ministrisë së Drejtësisë dhe Agjencisë Kombëtare për Kthimin dhe Kompensimin e Pronave. Kështu, në nenin 4 të tij, pas kërkesës së qeverisë, llogaria e fondit të kompensimit nuk do të cilësohet më “special” dhe do të raportohet në fondin e konsoliduar të qeverisë. Ndërkohë, në nenin 8 është shfuqizuar vendimi 610 i Këshillit të Ministrave, datë 11.06 2009, pasi ai prek të njëjtat çështje, si edhe projektligji. Neni 9 u hoq fare, ndërsa në pikën 2 të nenit 3 u hoq fjala “financiar” nga kompensimi pas kërkesës së kreut të AKKP-së, Elvis çefa. Ndërkaq, në një deklaratë pas mbarimit të mbledhjes së djeshme, çefa theksoi se me këtë projektligj, edhe nëse fondet vjetore të buxhetit nuk përdoren ngjatë vitit, ata nuk digjen, por kalojnë për vitin tjetër. Mbi bazën e draftit, kompensimi në lekë për ish-pronarët do të realizohet nga qeveria me skemën me këste dhe jo njëherësh. Projektligji "Për krijimin e fondit special të kompensimit të pronave", i paraqitur për shqyrtim në Kuvend, vendos që ndryshe nga herët e tjera ish-pronarët nuk do të kompensohen financiarisht menjëherë, por mbi bazën e afateve të ndryshme kohore. Do të jetë Ministria e Financave që do të përcaktojë afatet dhe modalitetet. Kështu është përcaktuar në nenin 6, pika 1 dhe 2 e këtij projektligji në lidhje me shpërndarjen e fondit të kompensimit. Një gjë e tillë sanksionohet edhe për ish-pronarët, të cilët përfitojnë kompensim financiar nga shteti si pjesë e procesit të legalizimit të zonave informale.
#