Berisha: Besojmë se Shqipëria do të marrë ftesën
Kryeministri Berisha flet një ditë para fillimit të punimeve të Samitit të Bukureshtit
TIRANË- Një ditë para samitit të Bukureshtit, kryeministri Berisha doli dje para medias dhe opinionit publik dhe deklaroi se, delegacioni shqiptar niset drejt këtij Samiti me besimin se do ta marrë ftesën për anëtarësim në NATO dhe se Shqipëria e meriton këtë ftesë. Berisha ka theksuar përpjekjet shumëvjeçare të popullit shqiptar drejt anëtarësimit në NATO dhe ka theksuar edhe njëherë se, reformat e ndërmarra nga qeveria në këto dy-tre vitet e fundit, si ato në luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit apo në fushën ekonomike, kanë bërë që vendi ynë të marrë vlerësime pozitive dhe ta meritojë ftesën për anëtarësim. "Ne do të shkojmë në Bukuresht, të vendosur që çdo vlerësim ta konsiderojmë si një përgjegjësi të madhe për reforma të tjera të rëndësishme, të cilat do ta konsolidojnë në Shqipëri standardet dhe parimet mbi të cilat ndërtohet Aleanca e Atlantikut të Veriut",- tha Berisha. I pyetur nëse Shqipëria nuk do ta marrë ftesën, Kryeministri tha se, në këtë rast qeveria do të shumëfishojë përpjekjet për ta marrë atë. Gjithsesi, Berisha u shpreh optimist se vendi ynë do të marrë dhe e meriton ftesën, ndërsa theksoi se opozita ka kontributin e vet dhe programin e vet për integrimin e vendit në Bashkimin Evropian dhe NATO. Sipas Kryeministrit, opozita do të gjejë vendosmërinë më të madhe te mazhoranca, për të bashkëpunuar për të ecur para me reforma.