Berisha-opozitës: Raport me shkrim? Bëni mocion
Kryeministri nuk ka ndërmend që të raportojë më shkrim rreth ngjarjes së Gërdecit
TIRANË- Kryeministri Sali Berisha duket se nuk ka ndërmend t'i përgjigjet kërkesës së opozitës, për t'u paraqitur në Kuvend me një raport me shkrim dhe serioz lidhur me ngjarjen e Gërdecit. Pavarësisht kërkesës së vazhdueshme të grupit parlamentar të PS-së, kërkesë që është depozituar me shkrim edhe në zyrat e Kuvendit, Kryeministri vazhdon t'i mbetet besnik deklaratës, se ai i është përgjigjur problemeve të ngritura nga opozita në Kuvend për gjashtë orë rresht në seancë plenare. Edhe pse deputetët e opozitës kanë gati tre seanca plenare që largohen nga Kuvendi pasi nuk merret parasysh kërkesa e tyre për të vijuar debatin për Gërdecin dhe paraqitjen e një raporti me shkrim nga Berisha, ky i fundit, ka dëshmuar mbrëmë se nuk do të marrë parasysh këtë kërkesë të opozitës. "Unë kam respekt për opozitën. Unë iu përgjigja për gjashtë orë rresht, siç e deshën. E deshën me urgjencë, unë me urgjencë iu përgjigja. Iu përgjigja çdo problemi që ngriti",- deklaroi dje Kryeministri në konferencë për shtyp, ndërsa është pyetur nga mediat lidhur me këtë çështje. Duke argumentuar qëndrimin e tij, kreu i qeverisë i ka rikujtuar opozitës se ajo ka në dorë instrumente parlamentare, si mocioni dhe është shprehur se, në rast se ajo do ta ndërmarrë këtë nismë, atëherë ai do të përballet më të. "Opozita ka pasur mekanizma të fuqishme parlamentare, siç është mocioni. Në rast se opozita paraqet mocionin, Kryeministri do të jetë absolutisht, në momentin që ata të kërkojnë aty",- tha Berisha, ndërsa ka theksuar edhe njëherë se, ai nuk i është shmangur dhe nuk do t'i shmanget kurrë parlamentarizmit. Për kreun e qeverinë, është në detyrimin e çdo deputeti dhe çdo force politike të respektojë parlamentarizmin dhe Rregulloren e funksionimit të Parlamentit. Këtë përgjigje për kërkesën e opozitës për një raport me shkrim Berisha e bëri edhe javën e shkuar në Parlament, kur deputetët opozitarë ia kanë adresuar personalisht atij gjatë seancës.