E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rivaliteti për Bukureshtin, Topi kryeson delegacionin

 

Skema e vendosjes në Samit, do të jetë 2 plus 5. Presidenti Bush do takojë si Topin, ashtu edhe Berishën

TIRANË- Delegacioni shqiptar që do të përfaqësojë Shqipërinë në Samitin e Bukureshtit, nga ku vendi ynë pret të marrë ftesën për anëtarësim në NATO, do të kryesohet nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i cili sipas gjasave, pritet të mbajë edhe fjalimin para vendeve anëtare të Aleancës së Atlantikut. Ndonëse përflitej jo zyrtarisht se këtë fjalim do të mbante kryeministri Sali Berisha, duket se deri mbrëmë vonë ende nuk është vendosur se cili do të mbante fjalimin në emër të delegacionit. I pyetur për këtë çështje, kryeministri Sali Berisha tha se këtë do ta përcaktojë protokolli i NATO-s dhe theksoi se, është Presidenti ai që kryeson delegacionin e vendit. "Delegacioni i Shqipërisë kryesohet nga Presidenti i Republikës. Se si do të mbahen fjalët, është protokolli i NATO-s që përcakton. Por, është jashtë çdo lloj mendimi, që delegacionin e kryeson kreu i shtetit", është shprehur dje gjatë konferencës për shtyp kreu i qeverisë. Si rrallëherë në përbërje të delegacionit do të jenë dy drejtuesit e lartë të shtetit presidenti Bamir Topi dhe kryeministri Sali Berisha, për të cilët jo pak herë ka pasur edhe debate se kush do ta kryesonte dhe cili prej tyre duhet të ishte i pranishëm. Fakti se kush do ta marrë stafetën në këtë vizitë ka qenë e dukshme edhe për opozitën, kur burimet bëjnë të ditur se të dy palët, si Kryeministri ashtu edhe Presidenti, kanë dashur të shfaqen në Bukuresht krah përfaqësuesve të opozitës, në këtë rast, të kryetares së grupit parlamentar të PS-së, Valentina Leskaj, e cila përfaqëson PS-në në Samit. Megjithatë, edhe këtij problemi iu gjend zgjidhja pikërisht dy net më parë, ku u vendos që Leskaj dhe Patozi të ishin si përfaqësues të Kuvendit dhe të vinin në radhë pas presidentit Bamir Topi dhe kryeministrit Sali Berisha. Duke qenë se do të jenë si Berisha, ashtu edhe Topi, në përbërje të delegacionit protokolli ka vendosur që po të dy, do të jenë të pranishëm edhe në takimin me Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Xhorxh Bush. Kryeministria konfirmoi dje se, për palën shqiptare, me presidentin Bush do të takohet kryeministri Berisha dhe presidenti Topi. Përsa i përket mënyrës se si do të ulen përfaqësuesit e delegacionit shqiptar në Samitin e Bukureshtit, bëhet e ditur se, skema deri tani është 2 plus 5, që do të thotë se kryeministri Berisha dhe presidenti Topi do të ulen në dy vendet e para, ndërsa dy ministrat, ai i Jashtëm, Basha dhe ai i Mbrojtjes, Oketa, dy krerët e grupeve parlamentare më të mëdha, Leskaj dhe Patozi dhe ambasadori ynë në Rumani, do të ulen në pesë vendet pas Berishës dhe Topit. Ekziston dhe një variant, që në pesë vendet pas Berishës dhe Topit, të shtohen dy vende të tjera, një për shefin e kabinetit, Arben Imami dhe tjetri për Ambasadorin tonë në NATO, por nga Kryeministria bëhet e ditur se varianti i parë është më i mundshëm.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›