E Diel, 1 Nëntor 2026

Procesi i Delijorgjit, KLD nis "ndëshkimin" e gjyqtarëve

 Prej 5 ditësh, Inspektoriati i KLD-së po kontrollon vendimet e gjyqit të parë kundër Delijorgjit. Gjenden shkelje proceduriale

 

 

TIRANË- Këshilli i Lartë i Drejtësisë nis procedurat për "ndëshkimin" e gjashtë gjyqtarëve të Durrësit, të cilët gjykuan çështjen e parë penale ndaj Mihal Delijorgjit. Burimet të sigurta pranë KLD-së bëjnë me dije për "Shekullin" se prej pesë ditësh, inspektorati i këtij Këshilli, i përbërë prej dy kontrollorëve ka zbarkuar në Gjykatën e Durrësit, ku ka inspektuar me hollësi vendimet penale të dy shkallëve të gjyqësorit ndaj të arrestuarit Delijorgji. "Inspektorët e KLD-së kanë kryer kontrollin e dy vendimeve të Gjykatës së Shkallës së Parë dhe asaj të Apelit në qytetin e Durrësit, ku kanë evidentuar shkelje të rënda procedurale të kryera në të dyja shkallët e gjyqësorit, në dobi të Delijorgjit. Gjatë inspektimit të grupit të kontrollit janë evidentuar një sërë shkeljesh, që nga momenti i marrjes së vendimit nga treshja gjykuese e Shkallës së Parë e deri te vendimi i dhënë nga tre gjyqtarë ushtarakë pranë Apelit, të cilët e shpallën Delijorgjin të pafajshëm për veprën penale të "kontrabandës me mallra të tjerë",-pohojnë burimet e mësipërme.

***

Shpërthimet në Gërdec nxorrën në sipërfaqe një mori problemesh komplekse, që duket se kanë të bëjnë me mosfunksionimin e një sërë strukturash shtetërore. Jashtë këtij spektri duket se nuk ka ngelur as sistemi gjyqësor, i cili i dha pafajësinë Delijorgjit në vitin 2006, edhe pse ndaj tij ekzistonin një sërë materialesh komprometuese. Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka urdhëruar një inspektim në Gjykatat e Durrësit, ku duket se janë zbuluar një sërë shkeljesh."Shkeljet janë evidentuar në vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë në Durrës, që nga kërkesa e prokurorit të çështjes, Ilir Turja, i cili për akuzën e "kontrabandës me mallra të tjerë" dhe "falsifikimit të vulave, stampave ose formularëve" ka kërkuar nga gjykata dënimin e të pandehurit Mihal Delijorgji vetëm me 10 milionë lekë gjobë. Treshja gjykuese e kryesuar nga Ervin Metalla dhe me anëtarë Markelian Koça dhe Arbana Selmanaj vendosën me datë 28 dhjetor 2006 pranimin e pretencës së prokurorit, ndërsa e deklaruan të pafajshëm Delijorgjin për veprën penale të "falsifikimit të vulave, stampave ose formularëve".

***

Asokohe Delijorgji ishte liruar nga masa e arrestit me burg, ndërkohë që u shpall i pafajshëm duke u dënuar vetëm me 10 milionë lekë gjobë. E megjithëse mori minimumin, Delijorgji ishte ai që apeloi vendimin dhe jo pala e humbur, që në këtë rast ishte prokuroria. "Apelimi i vendimit në Gjykatën e Apelit ka bërë që gjyqtarët civilë të kësaj gjykate, për shkak të ngarkesës së tyre t'ia delegojnë çështjen tre gjyqtarëve ushtarakë, që përbën shkelje më vete. Tre gjyqtarët ushtarakë të Gjykatës Ushtarake të Apelit, Naum Pejo, Ylli Minka dhe Shaqir Gradica, më 17 dhjetor 2007, pas dëgjimit të fjalës së prokurorit dhe avokatit mbrojtës, vendosën dhënien e pafajësisë së plotë për të pandehurin Delijorgji, duke vendosur gjithashtu edhe pushimin e çështjes, me konkluzionin se nuk provohen elementet e veprës penale. Gjithashtu, po këta gjyqtarë të Apelit Ushtarak, në kundërshtim me provat e sjella nga prokuroria vendosën edhe rrëzimin e padisë civile në këtë proces penal",-thuhet nga burimet e mësipërme. Mësohet se gjatë gjithë procesit hetimor dhe gjyqësor, i pandehuri Delijorgji është hetuar e gjykuar në gjendje të lirë, pasi masa e sigurisë ishte ndryshuar me garanci pasurore, ku i pandehuri kishte lënë 1 milion dollarë të bllokuara. Por me vendimin e gjykatës së Apelit, i pandehuri i ka tërhequr të gjitha paratë e vendosura si garanci dhe më pas ka rifilluar biznesin normal".

DOSJA

Prokuroria, rekurs  në Gjykatë të Lartë

TIRANË- Zyrtarë të KLD-së pohojnë për "Shekullin" seprokuroria ka bërë rekurs në Gjykatën e Lartë, pas vendimit të pafajësisë për Delijorgjin, dhënë nga Apeli Ushtarak i Durrësit. Sipas vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë, ndaj të pandehuri Mihal Delijorgji, më 19 prill të vitit 2004, është regjistruar procedimi penal me nr.425 në Prokurorinë e Durrësit, për kryerjen e veprave penale të kontrabandës me mallra të tjerë dhe falsifikimit të vulave, stampave ose formularëve nga ky person. Hetimi nis bazuar mbi kallëzimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, pasi sipas këtij institucioni në mënyrë të vazhdueshme, i pandehuri Delijorgji kryente kontrabandë, evazion fiskal nëpërmjet falsifikimit të dokumenteve, të cilat i shkaktonin shtetit dëme të konsiderueshme. Konsumimi i veprës penale është bërë nëpërmjet deklaratave doganore të viteve 2004, në kuadër të procedimit penal me nr. 425 duke bërë deklarim të rremë të hekurit të importuar për ndërtim, si hekur produkt kompensues i hekurit të eksportuar nën regjimin e përpunimit pasiv.

AKUZA

Neni 174

"Kontrabanda me mallra të tjera"

Importimi, eksportimi apo tranzitimi i mallrave, nëpërmjet kalimit jashtë pikave doganore, fshehjes së plotë apo të pjesshme, mosdeklarimit të saktë në doganë, deklarimit të rremë për natyrën, llojin, cilësinë, çmimin, destinacionin e mallit apo të tjera forma që kanë për qëllim shmangien nga detyrimet doganore dënohen me gjobë ose burgim gjer në pesë vjet.

Neni 190

"Falsifikimi i vulave, stampave ose formularëve"

Falsifikimi apo përdorimi i vulave, stampave dhe formularëve të falsifikuar, apo paraqitja e rrethanave të rreme në këto të fundit që u drejtohen organeve shtetërore dënohet me gjobë ose me burgim deri në pesë vjet.

VENDIMI I SHKALLËS SË PARË

Kërkesa e Prokurorit:

1. Deklarimin fajtor të pandehurit Mihal Delijorgji për veprën penale të kontrabandës me mallra të tjerë, qe i ka sjellë një dëm buxhetit të shtetit në shumën 122.669.211 lekë, dhe bazuar në nenin 174 të K.Penal kërkojmë të dënohet me 8.000 000 (tetë milionë) lekë gjobë.

2. Deklarimin fajtor të të pandehurit Mihal Delijorgji për veprën penale të falsifikimit të formularëve, vulave ose stampavedhe bazuar në nenin 190/1 të K.Penale kerkojmë të dënohet me2. 000.000 (dy milionë) lekë gjobë.

3. Deklarimin fajtor të të pandehurit Mihal Delijorgji për veprën penale të kontrabandës me mallrat e tjerë, që i ka sjellë një dëm buxhetit të shtetit në shumën 18.864.834 leke dhe bazuar ne nenin 174,48 gërma d të kodit penal kerkojmë të dënohet me 3.000.000 (tre milionë) lekë gjobë.

4. Deklarimin fajtor të të pandehurit Mihal Delijorgji për veprën penale të falsifikimit të vulave, stampave ose formularëve dhe bazuar në nenin 190/1 të K.Penal kërkojmë të dënohet me 1.000.000 (një milion) lekë gjobë.

5. Bazuar në nenin 55 të K.Penal për caktimin e dënimeve për disa vepra penale të dënohet përfundimisht i pandehuri Mihal Delijorgji me 10.000.000 (dhjetë milionë) lekë gjobë.

6. Pranimin e padise civile sipas objektit te paraqitur nga Dogana.

7. Shpenzimet proceduriale t'i ngarkohen të pandehurit Mihal Delijorgji.

VËREN

Fillimisht, ndaj të pandehurit Mihal Delijorgji është caktuar masa e sigurimit "arrest ne burg", nëpërmjet vendimit nr. 264, datë 24/04/2004 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës.Më pas, me vendimin nr. 289, datë 05/05/2004, të po kësaj gjykate, gjatë fazës së hetimeve paraprake, është vendosur zëvendësimi i masës së sigurimit "arrest ne burg", me atë të "garancisë pasurore në shumën 1 milion USD".Në seancën e dt. 15/07/2005, në fazën e gjykimit, është rrëzuar kërkesa e mbrojtjes për zëvendësimin e masës së sigurimit nga "garanci pasurore" në "detyrim për paraqitje", por gjykata e Apelit Durrës, me vendim nr. 48, dt. 02/09/2005, e ndryshon vendimin e gjykatës së shkallës së parëdhepranon kërkesen e mbrojtjes së të pandehurit për zëvendësimin e masës.

Referuar akteve në dosje, procedimi nr. 19/1 konsiston në kryerjen nga ana shoqërisë "Përparimi" S.A të importit të një sasie hekuri për ndërtim, ndërkohë që nëpërmjet 26 deklaratave doganore të viteve 1999 dhe 2000 është deklaruar hekur lëndë e parë për prodhim gozhde apo llamarine.Më konkretisht bëhet fjalë për deklaratat nr. 2M/0189, 2M/0381, 2M/0329, 2M/0330, 2M/0360, 2M/0424, 2M/0428, 2M/0430, 2M/0420, 2M/0428, 2M/0430, 2M/0455 dhe 2M/0456, për vitin 1999 dhe deklaratat nr. 2M/16, 2M/21, 2M/24, 2M/25, 2M/27, 2M/32, 2M/34, 2M/39, 2M/41, 2M/44, 2M/45, 2M/52 dhe 2M/53, për vitin 2000.Për këtë është paguar 5% taksË doganore në vend të 20% për vitin 1999 dhe në vend të 18% për vitin 2000, referuar kjo nomlekaturës së mallrave.Dëmi për këtë kap vlerën 107.435.374 lekë, ndërsa dëmi në paraqitje faturash jo të rregullta, me vlerë fakti më të ulët, kap vlerën 15.233.477 lekë (që të dyja këto vlera japin vlerën e objektit të padisë civile në procesin penal).

....Kryerja e veprës penale të "Kontrabandës me mallra të tjerë", për të cilën akuzohet i pandehuri Mihal Delijorgji, lidhur me episodin e lartpërmendur të importimit të hekurit për ndërtim, por të deklaruar lëndë të parë për prodhim gozhde, llamarine etj, nëpërmjet 26 deklaratave doganore të viteve 1999 dhe 2000, është zbuluar, sipas akuzës dhe paditësit civil, si rezultat i një kontrolli aposteriori të praktikave doganore përkatëse të sekuestruara dhe të administruara në këtë gjykim (fashikujt nr. IV, V,VI, IX të proçedimit nr. 19/1).

Kështu ka rezultuar se hekuri i importuar është klasifikuar në kreun 7207 të nomeklaturës së mallrave.Në shkresën nr. 77 Prot., dt. 03/08/2000 të Drejtorisë së Kontrollit të Brendshëm të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave thuhet se "Klasifikimi në kreun 7207 është i gabuar pasi mallrat që duhet të klasifikohen në të sipas rregullave të klasifikimit janë krejt të papërdorshëm në Shqipëri. Në këtë grup përfshihen prodhime hekuri apo çeliku që destinohen per t'iu nënshtruar përpunimit të mëtejshëm plastik, por që janë në përmasa të tilla që asnjë instalim teknologjik në Shqipëri nuk mund t'i përdorë."…"Gjithashtu përjashtohet klasifikimi i prodhimeve që paraqiten në rrotulla, të cilat përfshihen shprehimisht në kreun 7213.".(fashikulli nr. III i proçedimit nr. 19/1).

Po në të njëjtin fashikull u administrua si provë edhe shkresa nr. 6400 Prot., dt. 19/10/2000, bashkangjitur materialet e shqyrtuara nga komiteti i disiplinës i Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave me dt. 09/10/2000, nga ku rezulton se "importet e kryera në rulona dhe të klasifikuara në kodin 7207 (gjysëm produkte prej gize dhe celiku të palidhur), me tarifë doganore 5%, quhet e gabuar" (pika 1, fjalia e 2 e shkresës); gjithashtu në pikën 2 të kësaj shkrese thuhet se "Drejtoria e Tarifave, Origjinës dheVlerës, nisur nga keto parregullsi duhet të lëshojë një udhëzim shpjegues".

PER KETO ARSYE

Gjykata, bazuar ne nenin 380, 388 dhe 389 të Kodit të Proçedurës Penale, si dhe nenit 309 të Kodit të Proçedurës Civile,

V E N D O S I

-Deklarimin fajtor të të pandehurit Mihal Delijorgji për kryerjen e veprës penale të "Kontrabandës me mallra të tjerë", nëpërmjet 26 deklaratave doganore të viteve 1999-2000, në kuadër të procedimit penalnr. 19/1, duke bërë deklarim të rremë të hekurit të importuar për ndërtim, si hekur lëndë e parë për prodhim gozhde etj, parashikuar nga neni 174 i Kodit Penal dhe në bazë të kësaj dispozite dënimin e tij me gjobë në shumën 8.000.000 (tetë milionë) lekë.

-Pranimin e padisë civile në kuadër të këtij proçesi penal, duke u detyruar ana e paditur shoqëria "Përparimi" sh.a t'i paguajë paditësit Dega e Doganës Durrës, shumën 122.668.851 (njëqind e njëzet e dy milion e gjashtëqind e gjashtëdhjetë e tetë mijë e tetëqind e pesëdhjetë e një) lekë.

-Deklarimin fajtor të të pandehurit Mihal Delijorgji për kryerjen e veprës penale të "Kontrabandës me mallra të tjerë", në kuadër të proçedimit penal nr. 425 të vitit 2004, duke bërë deklarim të rremë të hekurit të importuar për ndërtim, si hekur produkt kompensues i hekurit të eksportuar nën rregjimin e përpunimit pasiv, parashikuar nga neni 174 i Kodit Penal dhe në bazë të kësaj dispozite dënimin e tij me gjobë në shumën 3.000.000 (tre milionë) lekë.

-Deklarimin të pafajshëm të të pandehurit Mihal Delijorgji për kryerjen e veprës penale të "Falsifikimit të vulave, stampave ose formularëve", parashikuar nga neni 190 i Kodit Penal, pasi fakti nuk përbën vepër penale më vete, në kuptim të nenit 388/b të Kodit të Proçedurës Penale.

-Në bashkim të dënimeve, në zbatim të nenit 55 të Kodit Penal, dënimin përfundimisht të të pandehurit Mihal Delijorgji me gjobë në shumën 10.000.000 (dhjetë milion) lekë.

-Shlyerja e gjobës të bëhet brënda tre muajve nga dita që vendimi të ketë marrë formë të prerë.

-Kthimin e sekuestros konservative vendosur më vendimin nr. 48 të Gjykatës së Apelit Durrës në sekuestro të ekzekutueshme, pasi vendimi të ketë marrë formë të prerë, në kuptim të nenit 273 të Kodit të Proçedurës Penale.

-Shpenzimet proceduriale gjatë hetimit e gjykimit të çështjes, në ngarkim të të pandehurit Mihal Delijorgji, ndërsa shpenzimet gjyqësore lidhur me padinë civile në proçesin penal, në masën 1% të vlerës së padisë, shumën 1.226.692 lekë në ngarkim të anës së paditur shoqërisë "Përparimi" sh.a.

-Kundër këtij vendimi lejohet ankim në Gjykatën e Apelit Durrës,brënda 10 ditëve nga e nesërmja e shpalljes, sa i takon çështjes penale dhe brënda 15 ditëve, sa i takon padisë civile.

-U shpall në Durrës, sot,më 28/12/2006.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›