E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Biseda me Berluskonin për centralin nuklear

 

Kryeministri Sali Berisha tha dje në një konferencë për shtyp se, gjatë samitit të vendeve të Mesdheut ka biseduar me kryeministrin italian, Silvio Berluskoni, lidhur me centralin bërthamor. “Me mikun tim Silvio Berluskoni kam diskutuar shumë gjëra, ndër të cilat padyshim edhe për centralin nuklear. Kam diskutuar edhe për vizitën e tij në Shqipëri, si dhe për shumë e shumë çështje të tjera, sikundër edhe me bashkëbiseduesit e tjerë”, theksoi kreu i qeverisë pas interesimit të mediave për këtë takim. Lidhur me vizitën e tij treditore në Paris, kreu i qeverisë u shpreh se, “shfrytëzova samitin me objektiva të qarta: lobimin, nga vendet anëtare të NATO-s ratifikimin e protokollit të anëtarësimit, ratifikimin e MSA-së për ato vende që nuk e kanë ratifikuar, liberalizimin vizave dhe probleme të tjera të bashkëpunimit bilateral dhe multilateral”. Duke folur për festimet e 14 korrikut, në ceremoninë e ditës kombëtare të Francës, Berisha shtoi se, “Më 14 korrik, në orën 10.30, të gjithë kryetarët e delegacioneve u gjendëm në tribunën presidenciale dhe patëm rastin të ndjekim paradën më madhështore që Evropa ka njohur, më të bukur e më qytetare. Paradë, e cila u zhvillua nën flamujt kombëtar të Francës, flamurit të Kombeve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian, të cilët u zbritën nga qielli nga parashutistë, kampionë botërorë në sportin e parashutizmit dhe mbyllën këtë paradë të shkëlqyer”. Kreu i qeverisë foli edhe për drekën e shtruar nga Sarkozi dhe zonja e parë Karla Bruni, ku vijoi se, delikatesa, finesa e mikpritjes franceze, përzemërsia e saj, shkëlqyen edhe në këtë pritje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›