E Shtunë, 31 Tetor 2026

Waxman: Withers pohoi që ka rënë dakord me Mediun

Pa u mbushur ende 48 orë nga letra që ambasadori i SHBA-së në Tiranë, John Withers i dërgoi kongresmenit amerikan, Henri Waxman, për t’u takuar, ky i fundit i kthen përgjigje pozitive. 

Kongresmeni Waxman i ka dërguar dje një letër ambasadorit amerikan ku mirëpret takimin me të dhe shpreh bindjen se vetëm një informim i plotë mbi atë që ka ndodhur mund të zbardhë akuzat për përfshirje në aferat e trafikut të armëve. “E kam marrë letrën tuaj të datës 11 korrik 2008 dhe kam lexuar me interes komentet tuaja në “Los Anxheles Times”. Në letrën tuaj kërkohej një mundësi për t’u takuar dhe unë e mirëpres këtë ofertë”, thuhet në letrën e kongresmenit Waxman. Më tej ai i kërkon Withers-it që deri ditën e sotme në orën 17.00 të vërë në dijeni komitetin nëse do të paraqitet pranë tij për të dhënë një intervistë, si dhe të informohet nëse do të paraqesë pranë komitetit dokumentet e nevojshme që do të ndihmojnë hetimin. “Artikulli i gazetës “Los Angeles Times” konfirmoi disa elementë thelbësorë të dëshmisë, që i ka dhënë majori Lerri D. Herrison komitetit. Sipas “The Times”, ju keni pranuar se keni pasur një takim në orët e mbrëmjes me ministrin shqiptar të Mbrojtjes, më 19 nëntor 2007, që në atë mbledhje është diskutuar për mënyrën sesi do t’i kthehej përgjigje një kërkese të “New York Times” për të vizituar një zonë në Shqipëri, ku kontraktori amerikan i armëve AEY, ripaketonte municionet për t’i hequr origjinën e tyre kineze; dhe se në atë takim, ministri shqiptar i Mbrojtjes sugjeroi, në praninë tuaj, që të hiqeshin shenjat kineze nga ajo zonë përpara vizitës së gazetarit të “New York Times””, vijon më tej letra e Waxman. Duke cituar gazetën “New York Times”, kongresmeni amerikan shprehet se, ambasadori i SHBA-së në Tiranë konfirmoi pohimin e Majorit Harison se ka rënë dakord me sugjerimet e kreut të Ministrisë së Mbrojtjes, për të fshehur origjinën kineze të armëve. “Ju thoni gjithashtu se nuk e keni informuar komitetin për këtë incident, pasi nuk doli emri i kompanisë që merrej me tregtinë e armëve. Por hetimi i këtij komiteti për atë që ndodhi realisht në Shqipëri në nëntor 2007 po pengohet nga mungesa e bashkëpunimit e zyrtarëve të Departamentit të Shtetit dhe ambasadës. Për t’u veçuar është fakti se komiteti nuk ka marrë ende dokumentet e kërkuar dhe as ka mundur të marrë në pyetje zyrtarë të ambasadës. Për këtë arsye, unë e vlerësoj ofertën tuaj për t’u takuar dhe uroj që tani ju do të bashkëpunoni plotësisht me komitetin. Ju ftoj të kontaktoni me stafin për të vendosur se kur do të takohemi”, shton më tej letra. Një ditë më parë ishte ambasadori amerikan Withers, i cili i shkruante kongresmenit Waxman dhe i kërkonte një takim lidhur me sqarimin e kësaj çështjeje.

Mediu: Ligji s’e ndalon shitjen e armëve kineze

Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, reagon pas deklaratës së ambasadorit amerikan, John Withers, lidhur me takimin e 19 nëntorit të vitit të kaluar. Në një prononcim për mediat Mediu tha se, ligjet shqiptare nuk e ndalonin atë për të shitur municione kineze, pavarësisht faktit se kompanitë amerikane e kanë të ndaluar me ligj të blejnë municione kineze. “Dua të bëj një gjë të qartë, që ka qenë edhe në prononcimet e Ministrisë së Mbrojtjes, që çdo gjë që kemi bërë, shitja e armëve ka ndodhur sipas ligjeve në fuqi, ka qenë tërësisht e ligjshme. Shqipëria nuk ka asnjë pengesë ligjore që të shesë municione kineze dhe duke mos pasur asnjë pengesë ligjore, nuk ka asnjë trafik. Nuk ka trafik, por ka shitje municionesh që është bërë që në vitet ‘90. Edhe sot që ne flasim bëhet shitje municionesh”, u shpreh Mediu. Një ditë më parë ambasadori i SHBA-së, John Withers u shpreh në një intervistë për “Los Angeles Times” se, nuk kishte pranuar një kërkesë të ish-ministrit të Mbrojtjes për fshehjen e origjinës së fishekëve që do të blinte AEY, një ditë para ardhjes në Tiranë të gazetarit të “New York Times”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›