E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bregu: Ka progres, por korrupsioni të ndëshkohet

Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, ka raportuar përpara komisionit parlamentar për çështjen e Integrimit në lidhje me zbatimin e rekomandimeve afatshkurtra të dokumentit të partneritetit evropian. 

Komisioni dëgjoi nga afër ministren Bregu mbi hapat dhe progresin që ka bërë vendi ynë për rekomandimet që jepen në këtë dokument, si dhe në raport-progresin e KE-së për Shqipërinë. Kryekomisioneri Meta tha se, “Një shqetësim dhe rekomandim ka qenë përcaktimi i objektivave dhe treguesve më konkretë për strategjinë antikorrupsion 2007-2013. Ky ka qenë një nga shqetësimet kryesore, objektivat konkrete dhe instrumentet e monitorueshme dhe indikatorët e vlerësimit për zbatimin e kësaj strategjie”. Gjithashtu, kryetari Meta i është drejtuar ministres së Integrimit Bregu, edhe për atë çfarë ka bërë qeveria për garantimin e mbrojtjes së dëshmitarëve dhe zbatimin e ligjit për mbrojtjen e dëshmitarëve, si dhe për çështjen e korrupsionit. Ndërsa për çështjen e imunitetit, kryetari Meta u shpreh se, e vetmja pyetje që ai mund të bëjë, duke qenë se ka qenë kundër ndryshimeve kushtetuese, ka të bëjë me mospërfshirjen në këtë paketë. Përsa i përket çështjes së luftës kundër korrupsionit, gjatë fjalës që mbajti në fillim para anëtarëve të komisionit, ministrja e Integrimi u shpreh se, “parandalimi dhe lufta kundër korrupsionit, pavarësisht se përmendet si një nga qëllimet kryesore, më së shumti është një qëllim, i cili kërkon ende shumë kohë për t’u përmbushur”. Në përgjigje të pyetjeve të drejtuara nga kryetari i komisionit, Meta, ministrja Bregu foli për secilën prej zbatimit të rekomandimeve, duke thënë se, për një pjesë të mirë të tyre ka pasur progres dhe një pjesë tjetër është ende duke u punuar. Bregu theksoi se, ka filluar finalizimi i strategjisë për parandalimin e luftës kundër korrupsionit dhe qeverisjen transparente, ku përcaktohen masat kryesore dhe reformat që duhet të ndërmerren, si dhe masat për hetimin, zbulimin dhe ndëshkimin e korrupsionit. Por, ajo shtoi se, duhet ende kohë për të monitoruar rezultatet konkrete. Gjatë mbledhjes së komisionit, kryetari Ilir Meta i është drejtuar ministres së Integrimit edhe për çështjen e disbursimit të fondeve nga Komisioni Evropian, që ka qenë gjithmonë një problem për Shqipërinë. Në përgjigje të pyetjes së drejtuar, ministrja Majlinda Bregu e pohoi këtë problem, duke marrë si shembull faktin që nuk janë disbursuar ende fondet e programit Cards 2005 të Bashkimit Evropian, për shkak të borxheve që kishte Ministria shqiptare e Transporteve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›