Berisha: Biseda me Mediun pas shpërthimit të Gërdecit
Tragjedia e Gërdecit është një çështje tërësisht ushtarake. Gati 11 muaj nga shpërthimi i 15 marsit në një zonë afër kryeqytetit, kryeministri Berisha mbron idenë se ushtarakët nuk u shmangën nga vendimmarrja, tezë të cilën e ka hedhur organi i akuzës. Pak pas takimit me Sekretaren e Shtetit, Hilari Klinton, kryeministri foli në një intervistë për “Zërin e Amerikës” mbi përgatitjet për zgjedhjet e 28 qershorit, anëtarësimin në NATO dhe luftën kundër korrupsionit.
Zoti Kryeministër, sot ju po përfundoni vizitën këtu në Uashington, ku morët pjesë në Mëngjesin e Lutjeve dhe tani sapo keni dalë nga një takim me Sekretaren e Shtetit, Hilari Klinton. Me çfarë mesazhi po ktheheni në Shqipëri?
Po, është e vërtetë që sapo dola nga një takim, që do ta quaja të shkëlqyer, shumë të ngrohtë dhe miqësor, me një mirëkuptim të plotë mbi të gjitha çështjet që u diskutuan. Mesazhi është që, me administratën e Presidentit Obama, marrëdhëniet me Shqipërinë do të jenë të shkëlqyera dhe do të njohim zhvillime dhe dimensione të reja. Unë mund të them se në të gjithë takimin me Sekretaren e Shtetit u diskutua për Shqipërinë, si për një vend për të cilin njohuritë ishin shumë të mëdha dhe si për një vend, për të cilin, ndjenjat ishin më miqësore, pra të krijohej përshtypja se je në vazhdim të një takimi të mëparshëm. Ky është mesazhi që edhe unë ia shpreha Sekretares Klinton, se ishte një nder shumë i veçantë që isha kryeministri i parë që e takoja, sikundër e sigurova, se asnjë komb tjetër nuk është gëzuar më shumë se kombi shqiptar, për emërimin e saj në atë detyrë.
Shqipëria sot ndodhet përpara disa momenteve madhore. E kam fjalën, pas disa muajsh Shqipëria pritet të anëtarësohet në NATO, vendi ndërkohë ndodhet përpara zgjedhjeve, që janë vlerësuar si jetike këtë herë. Po ashtu është një moment tjetër që u diskutua edhe sot me Sekretaren Klinton, çështja e ligjit aq të debatueshëm kohët e fundit të “Pastërtisë së figurave”?
Është e vërtetë kjo, por në takim, në të cilin sekretarja shprehu vlerësimin më të lartë për ecurinë dhe suksesin e reformave, u trajtua problemi i zgjedhjeve. E garantova se për mua është një mision. Njeriu ka detyra në punën e tij, por ndonjë prej tyre është madhore dhe është mision. Për mua dhe qeverinë time, këto zgjedhje të lira dhe të ndershme janë më kryesoret, objektivi më madhor dhe i kërkova Sekretares, që Shtetet e Bashkuara të dërgojnë numrin më të madh të mundshëm të vëzhguesve, se këtë kërkesë ia kam bërë kujtdo, edhe vendeve të tjera. Ku buron ky optimizëm i imi për një proces zgjedhor të lirë dhe të ndershëm? Po këtë ekspoze i bëra edhe sekretares. Së pari, në zgjedhjet e 2007-ës, të gjitha raportet kanë qenë, kanë faktuar, që qeveria nuk ka ndërhyrë. Kjo ishte një gjë jashtëzakonisht e rëndësishme për qeverinë dhe për kryeministrin e qeverisë. Në raport është bërë fjalë për çështje teknike, serioze, por teknike. Atëherë cila është situata sot nga 2007? Diametralisht e kundërt. Janë dixhitalizuar 14 mijë regjistra, pra është kompletuar tërësisht dixhitalizimi i regjistrit civil. Së dyti, ekzistojnë lista të plota dixhitale të votuesve. Së treti, janë pastruar të gjitha dublimet. Katër, është vendosur sistemi i ri i adresave, që po shkon drejt përfundimit. Pesë, qytetarët shqiptarë po pajisen me dokumente identifikimi më të kohës. Pra, një infrastrukturë të tillë moderne, që Shqipëria s’e ka pasur kurrë më parë. Tjetër, konsensualisht, vendosëm për Kodin e ri Zgjedhor dhe po kaq në mënyrë konsensuale, zgjodhëm komisionin elektoral. Pra, unë jam i bindur, se Shqipëria dhe politika shqiptare do të nderojë në radhë të parë qytetarët e vet, që ata të votojnë si qytetarë të një shoqërie të lirë, por edhe miqtë e tyre kudo në botë.
Një ndër çështjet ishte edhe ligji i “Pastërtisë së figurave”. A ju shqetëson fakti se Sekretarja e Shtetit e ngre këtë çështje në takimin me ju?
Jo, ligje për “Pastërtinë e figurave” janë ngritur kudo. Vetëm një gjë mund t’ju siguroj juve dhe shqiptarët, se Sekretarja e Shtetit kishte një vetëdije të plotë për krimet e tmerrshme të kryera në Shqipëri nga regjimi totalitar, krime kundër njerëzimit. Ajo e njihte shumë mirë këtë problematikë. Unë e sigurova dhe u ndamë me mirëkuptim të plotë me njëri-tjetrin, që ky ligj nuk përdoret për të bërë gjahun e kundërshtarëve dhe ne e kemi faktuar këtë me amendimet që i bëmë me kërkesën e opozitës. E dyta, gjithçka do të zhvillohet në përputhje me rregullat e shtetit ligjor dhe në këtë pikë kishte mirëkuptim të plotë. Pra, çështjen nuk e shtron kush përse Shqipëria (të ketë një ligj të tillë), sepse çështja është më e thellë. Regjimi në Shqipëri ka kryer krimet më të mëdha kundër njerëzimit, se në çdo vend tjetër ish komunist dhe në një mënyrë duhet ndarë me to, problemi është t’u përmbahesh të gjitha rregullave të shtetit ligjor.
Zoti Kryeministër, ju erdhët në pushtet në emër të luftës kundër korrupsionit dhe bëtë premtime të mëdha në atë kohë. Ndërsa mandatit tuaj të parë po i afrohet fundi, a jeni në gjendje të shkoni para elektoratit dhe të thoni: Po, unë Sali Berisha i mbajta premtimet që ju bëra për luftën kundër korrupsionit?
Absolutisht po dhe me faktet më të pamohueshme. Cilat janë? Le të më gjejë kush një qeveri tjetër që në 3 vjet të ketë vjelë, në proporcion, 3.2 miliardë dollarë nga taksat dhe tatimet, që të ketë shkurtuar nga 3% me 2% të prodhimit të brendshëm shpenzimet e administratës, që të ketë kursyer mbi 500 milionë euro në prokurime, në 3 vjet, pra pa llogaritur këtë vit. Janë rreth 4 miliardë dollarë më shumë se ç’ishin në 3 vjet më parë. E dyta. Ka një organizatë që vlerëson korrupsionin. Çfarë thotë Transparency International? Qeveria e Sali Berishës ishte kampione në reformat e saj kundër korrupsionit dhe se këto reforma, Shqipërinë, nga 24 vendet më të korruptuara të planetit, e bënë që të lerë mbrapa 95 vende, të vlerësohet si më e mira në rajon, si ndër 10 vendet më të suksesshme për luftën kundër tij vitin që kaloi. A ka korrupsion? Sërish ka korrupsion. Por a ka një betejë në vazhdim kundër korrupsionit? Absolutisht po. Duke filluar nga janari i këtij viti, Shqipëria bëhet i vetmi vend në planet që ndalon të gjitha format e tjera të prokurimit, përveç prokurimit elektronik. Edhe të tjerë bëjnë prokurime elektronike, por i aplikojnë vetëm pjesërisht, kurse ne plotësisht. A ka avancime të tjera? Kemi hequr dy të tretat e licencave dhe lejeve si çerdhe korrupsioni. Ato që kanë mbetur me USAID-in po i grupojmë në një One-Stop-Shop. Pra, kjo është një betejë e vazhdueshme. Janë penalizuar mbi 160 zyrtarë të të gjitha niveleve, ç’ka do të thotë se edhe ligji po bëhet për ata që preken nga korrupsioni.
Megjithatë, si politikan, ju jeni i vetëdijshëm për çështjen e imazhit. Imazhi i Shqipërisë është ende ai i një vendi me korrupsion të përhapur. Qeveria juaj ka dy ministra, njëri i dorëhequr, tjetri nën hetime, me raste madhore, siç është çështja e Gërdecit dhe përshtypja është që qeveria nuk po ndihmon sa duhet për zbardhjen e tyre?
Ju jeni gazetar. Në qoftë se bëjmë një kontroll në të gjithë historinë e drejtësisë botërore, që nga koha romake e deri sot, nuk gjen një rast të vetëm, me përjashtim të këtij që ndodhi në Shqipëri, që të gjykohen aktet kolektive. Në qoftë se shkohet në një absurd të tillë, ku çdo gjë tjetër veç parimit, ka mundësi, atëherë kjo është çështje jo e qeverisë. Për rastin e rrugës, çdo akt, çdo vendim është absolutisht kolektiv. Pra, çdo qëndrim tjetër është në thyerje të parimeve më themelore të të gjitha kohërave. Megjithatë, pavarësisht nga kjo, është kjo shumicë që i ka hequr imunitetin ministrit, në përputhje me zotimin e saj të plotë, se çdo kërkesë e Prokurorisë për heqje imuniteti, do të gjejë miratimin e saj. Së dyti, për Gërdecin, ka një vit që botohen me qindra e qindra artikuj, nuk kanë qenë në gjendje të faktojnë as edhe me elementin më të vogël të implikimit për korrupsion të zotit (Fatmir) Mediu. Kam qenë i pari, e kam shtyrë dhe kam bërë çdo përpjekje që Prokuroria ta hetojë në mënyrën më të gjithanshme. I kam thënë zotit Fatmir Mediu, që në qoftë se ka një njeri në botë, që ka nevojë të hetohet, je ti. Dhe ka dhënë dorëheqjen. I kemi hequr imunitetin. Por ata që paraqitën kërkesën për imunitet, në mënyrë tërësisht sikundër s’duhet të ishte, se ky ka anashkaluar ushtrinë, në një kohë kur janë mbi 30 dokumente, ku secili prej tyre ka jo më pak se 4 deri në 6 firma ushtarakësh, ata fyejnë kombin e tyre, fyejnë parimet me të cilat drejtojnë, sepse në një vend të lirë, në një shoqëri të lirë, mund të bësh politikë me këtë mënyrë, por nuk bën dot kurrë drejtësi. Por çfarë ishte çështja? A ishte ushtarake, apo jo? Aq sa është predha ushtarake, aq sa është baroti ushtarak, aq sa është depoja ushtarake, të gjitha këto ishin ushtarake. Pra, u përzgjodh një linjë, e cila vetëm përgjegjësinë nuk e nxjerr. Megjithatë, në qoftë se kemi reaguar, kemi reaguar se ajo ishte një fyerje, ishte një papërgjegjshmëri ekstreme, që mund të bëhej. Të gjithë ishim dakord të hetohej. Por, të spostosh të tjerët, do të thotë të devijosh nxjerrjen e përgjegjësive. Përse? Vetëm e vetëm, se në hierarkinë e tyre, dikush, diku, duhej të dilte krejtësisht i paprekur. Kjo është jashtëzakonisht e dëmshme për hetimin.
Zoti Berisha, marrëdhëniet tuaja me shtypin, me drejtësinë. A është Sali Beridha siç kritikohet në shtyp, që kërkon të vejë nën kontroll shtypin dhe drejtësinë?
Marrëdhëniet janë të shkëlqyera. Kjo qeveri i ka krijuar hapësirën më të madhe drejtësisë. Sa zyrtarë të kësaj qeveria janë penalizuar? Sa janë burgosur? Ndonëse flihet mbi dosje të mëdha korrupsioni të qeverisë së mëparshme, dhe janë jo më pak se 400, është kjo qeveri e cila e falënderon drejtësinë, se gjykon dhe se la mënjanë padënueshmërinë, e cila rrënon më shumë se gjithçka tjetër, moralin e një shoqërie. Unë u kam thënë disa herë, publikisht dhe privatisht bashkëpunëtorëve të mi se e keqja e madhe e vendit do të ishte po të mos dënonin. Ata dënojnë në mënyrë asimetrike dhe natyrisht pushteti duhet mbajtur më përgjegjës. Pra, nuk ka në mënyrë absolute ndërhyrje. Cili proces është bllokuar nga kjo qeveri? E kundërta është e vërtetë. Shumica e këtyre proceseve kanë në origjinë dosje të dërguara nga kjo qeveri. Së dyti, mediat. Më thoni, a dini ndonjë vend tjetër, ku administrata të ketë ndaluar padinë civile, apo penale ndaj gazetarëve? Çfarëdo që ata të shkruajnë, çfarëdo që ata të botojnë që administrata të ketë ndaluar, t’u kërkojë burimin e informacionit mediave? Ky është standardi që solli qeveria ime ndaj mediave dhe ky standard ka pasur një efekt jashtëzakonisht pozitiv në shoqëri. Në qoftë se përpara administrata kishte qindra procese ndaj gazetarëve, në qoftë se përpara kontrollonte mediat në tërësi, sot, shihe kryetarin e opozitës; është mizor në kontrollin e tre mediave. Njërës i jep hyrjen e Tiranës, tjetrës i thotë se do të jesh në krye të listës së deputetëve, do të bëhesh ministre etj. Pra i kontrollon në mënyrë barbare. U çon qindra mesazhe në ditë. Pyeti kolegët e tu gazetarë se sa vuajnë nga kjo. Pyeti a kanë marrë ndonjë nga qeveria apo zyra. Absolutisht as kanë marrë dhe as do të marrin. Pra ka procese? As edhe një. Çfarë ndodhi? Edhe qytetarët nuk i padisin më. Dhe më bëhet shumë qejfi. Se nuk është rrugëzgjidhje, sado që edhe gazetarët gabojnë kur shpifin, gabojnë kur thonë gjëra të paqena, por e vërteta është se gjyqet ndaj tyre nuk janë rrugëzgjidhje.