E Diel, 1 Nëntor 2026

Në gjyq “maskat” e vjedhjeve, grabitën bankën në autostradë

 

TIRANE – Prokuroria përfundoi hetimet dhe dërgoi në gjykatë dosjen penale në ngarkim të tre personave, të akuzuar për grabitjen e filialit të një banke private në autostradë. Më 5 shkurt 2009, Prokuroria e Tiranës ka dorëzuar për shqyrtim në gjykatë dosjen penale me nr. 829, në ngarkim të personave të pandehur: Edmir Shehi, Fatjon Karanxha dhe Luan Kuci. Sipas burimeve zyrtare të Prokurorisë, mësohet se tre të pandehurit akuzohen për vjedhje të bankave dhe arkave të kursimit, prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve luftarake. Ngjarja për të cilën akuzohen tre të pandehurit ndodhi më 1 gusht 2008 në hyrje të autostradës Tiranë-Durrës. Sipas hetimeve të policisë dhe Prokurorisë, në mesditë tre personat, të armatosur dhe me maska hynë në filialin e një banke private dhe nën kërcënimin e armëve grabitën 10 milionë lekë të reja. Më pas autorët u larguan nga vendi i ngjarjes, duke përdorur një automjet të cilin e braktisën pranë fshatit Domje. Të dhënat e kësaj makine ndihmuan policinë në identifikimin e Fatjon Karanxhës, i akuzuari kryesor. Mbajtja e tij në përgjim për disa ditë bëri të mundur më 6 gusht 2008 në kapjen dhe arrestimin e tre grabitësve, të cilët ishin ndarë në qytete të ndryshme por që kishin biseduar në telefon dhe kishin bërë pakt që në rast se ndonjëri arrestohej, policisë nuk do t’i jepej asnjë informacion për vendndodhjen e parave të grabitura.         tr.so

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›